Auto

Kanada, ndalohet shitja e makinave të reja me karburant prej vitit 2035


Qeveria e kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, ka njoftuar se Kanadaja do të ndalojë shitjen e makinave të reja që digjen në karburant dhe kamionëve me peshë të lehtë nga viti 2035 si pjesë e përpjekjes për të arritur emetimet zero në të gjithë vendin deri në vitin 2050.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në bazë të deklaratës, prej vitit 2035 do të mund të shiten vetëm makina dhe kamionë me emetim zero dhe se një përzierje e investimeve dhe rregulloreve do të ndihmojnë tranzicionin e industrisë drejt këtij qëllimi.

Gjithashtu qeveria ka bërë me dije se do të vendosë objektiva të përkohshëm për vitin 2025 dhe 2030.

“Ne jemi të përkushtuar për të përafruar synimet e shitjeve të automjeteve me emetim zero të Kanadasë me ato të juridiksioneve më ambicioze të Amerikës së Veriut”, ka thënë ministri i mjedisit në deklaratë, Jonathan Wilkinson.

Vitin e kaluar, Britania ka specifikuar se do të ndalonte automjetet me karburant prej vitit 2030, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë caktuar një datë.

Tregu më i madh i automjeteve në SHBA, California, gjatë vitit të kaluar ka njoftuar se do të kalojë në automjete elektrike duke filluar nga 2035-a. Edhe provinca kanadeze e Quebec-ut ka vendosur të njëjtin objektiv.

“Ne do të punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të harmonizuar rregulloret e efiçencës së karburantit dhe ne jemi duke investuar në zbritje për konsumatorët, stacione karikime, pushime të taksave të biznesit dhe kostot e tranzicionit të industrisë”, ka shtuar Wilkinson.

Reuters shkruan se Trudeau është zotuar të vendosë Kanadanë në vendin e dytë më të madh në një rrugë drejt emetimeve zero deri në vitin 2050. Dhe se zhvendosja e transportit larg karburanteve fosile është thelbësore për arritjen e këtij qëllimi.

Ky synim në kuadër të luftimit të ndryshimeve të klimës, mbështetet gjerësisht edhe nga kanadezët dhe Trudeau pritet të bëjë zgjedhje sa më shpejt në shtator për të hequr qafe varësinë e tij nga mbështetja e opozitës në një parlament të pakicës.

“Kanadaja nuk mund të arrijë caqet tona të gazit serë nëse emetimet nga makinat, SUV-të dhe kamionçinat, të cilat aktualisht janë në rritje, nuk kufizohen”, ka sqaruar Keith Brooks, drejtori i programeve në grupin e mbrojtjes së mjedisit, i cili e mirëpriti masën.

Brooks ka shtuar se vetëm 3.5 për qind e automjeteve të shitura tani në Kanada janë elektrike dhe se qeveria duhet të bëjë më shumë për të mbështetur tregun për automjetet me emetime zero.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore