Sport

Kampioni i Euro 2020 kërkon largimin nga klubi


Domenico Berardi, kampioni i Euro 2020 me Italinë ka kërkuar largimin nga klubi i Sassuolo-s. Ai ia ka bërë të qartë drejtuesve se dëshiron ta vazhdojë karrierën në një klub më të madh.

Milan-i është ndër skuadrat më të interesuara për të marrë shërbimet e anësorit të djathtë. Sassuolo ka kërkuar rreth 35 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin.

Përveç Milan-it edhe Fiorentina është e interesuar për shërbimet e një prej lojtarëve më të talentuar të Serie A, por asnjë prej tyre nuk dëshiron të paguajë 35 milionë euro për 27-vjeçarin.

Në këtë mënyrë, Berardi i ka kërkuar klubit të jenë të gatshëm të heqin dorë prej tij, pasi kërkon të hedhë një hap më cilësor në karrierë, raporton italiania “Calciomercato”.

Berardi është një produkt i klubit të Sassuolo, pasi ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirë dhe më pas ka kaluar në ekipin e parë.

Ai u ble nga Juventus-i në vitin 2013 për shifrën e 4.5 milionë eurove, por u la në huazim te Sassuolo, derisa klubi vendosi ta riblinte kartonin e tij në 2015 për shifrën e 17.5 milionë eurove.

Përgjatë tetë sezoneve në Serie A, Berardi ka arritur të bëjë 238 paraqitje. Ai ka shënuar 86 gola dhe ka dhuruar 56 asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore