Pajisje

‘Kabina mirëqenieje’ për stafin në Amazon


Kompania teknologjike, Amazon, planifikon të vendosë “kabina mirëqenieje” në magazinat e saj në mënyrë që punonjësit e stresuar të mund të ulen brenda dhe të shohin video rreth relaksimit.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se përmes një video të shpërndarë në llogarinë e saj në Twitter, kompania ka zbuluar se dhoma e quajtur “AmaZen” do të ndihmojë stafin të përqendrohet te shëndeti i tyre mendor.

Mirëpo, e fshiu videon prezantuese pas një “vale talljeje” nga përdoruesit e mediave të tjera sociale.

Kabinat e mirëqenies konsiderohet të jetë një përpjekje e kompanisë pas kritikave të shumta dhe të vazhdueshme që kanë shkuar në drejtim të saj mbi kushtet e punës nëpër magazina.

Kjo nuk është përpjekja e vetme nga ana e Amazon-it për t’ju përgjigjur kritikave. Më 17 maj, kompania ka njoftuar një skemë të quajtur “WorkingWell” duke u përqendruar në “aktivitete fizike dhe mendore, ushtrime të mirëqenies dhe mbështetje për ushqim të shëndetshëm” për stafin.

Për sa i përket kabinave, Amazon-i ka thënë se “gjatë ndërrimeve, punonjësit mund të vizitojnë stacionet e AmaZen-it dhe të shohin video të shkurtra, të lehta për t’u ndjekur, që shfaqin aktivitete të mirëqenies duke përfshirë meditime, skena qetësuese me tinguj apo pohime pozitive”.

Në kabinë ka hapësirë të mjaftueshme për një karrige, tavolinë të vogël kompjuteri përballë një muri dhe disa bimë të vogla në vazo nëpër rafte kurse paneli i sipërm është i pikturuar si një qiell i kaltër me re.

Por, pas videos së ngarkuar në Twitter ku tregohej kabina, morën vrull “talljet” në rrjet duke u marrë me madhësinë e vogël të kabinës në mes të një magazine të madhe.

Etiketimet kane qenë nga më të shumtat. Disa e krahasuan AmaZen-in me një “kabinë për të qarë” e të tjerë si një praktikë pune “distopiane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore