Lajme

Ka nisur regjistrimi i popullsisë në Luginën e Preshevës


Formulari për regjistrimin e popullsisë në Serbi

Më 1 tetor në Serbi ka nisur regjistrimi i popullsisë, rrjedhimisht edhe regjistrimi i popullsisë në Preshevë, Megjvegjë dhe Bujanoc.

Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, kanë bërë thirrje shqiptarëve të participojnë në censusin në Serbi.

Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka bërë të ditur se regjistrimi do të zgjasë për 1 muaj.

“Më 1 tetor fillon regjistrimi i popullsisë edhe në Luginën e Preshevës, një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, madje edhe historik. Për dy dekada kishim më pak shërbime e më pak institucione. Andaj le t’i përgjigjemi diskriminimit me regjistrim. Le t’i përgjigjemi pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar”, ka thënë Mustafi.

Sipas tij në Komunën e Preshevës janë 73 regjistrues të udhëhequr nga 12 instruktorë. Në Komunën e Bujanocit janë 83 regjistrues të udhëhequr nga 13 instruktorë dhe në Komunën e Medvegjës janë 21 regjistrues të udhëhequr nga 4 instruktorë.

“Çdo regjistrues ka detyrim ligjor që të vizitojë çdo shtëpi dhe t’i regjistrojë gjithë familjarët”, ka shtuar ai.

Shqiptarët nga tri komunat në jug të Serbisë, ku jetojnë shumica e shqiptarëve, bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Përfaqësuesit të nacionalitetit shqiptar në këto tri komuna, kanë bojkotuar atë kohë censusin për shkak se formularët e regjistrimit ishin shtypur në cirilik në gjuhën serbe.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e atij komuniteti përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit ndaj kësaj pjese të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore