Lajme

Izraeli dhe SHBA: Gjurmët e dyshimit dhe armiqësisë së një marrëdhënieje të veçantë


“Mjaft është mjaft”, thërret Joe Biden ndërsa vendos të kërcënojë se do të bllokojë ndihmën ushtarake për Izraelin gjatë një përplasjeje me qeverinë Netanyahu.

Amerikanët kërkojnë menjëherë ndalimin e sulmit në Rafah, por kriza është shumë më e thellë: ka të bëjë me të ardhmen e territoreve të pushtuara që nga lufta e vitit 1967 dhe mbi të gjitha përplasjen kokë më kokë për çështjen e lindjes së një shteti palestinez.

Si në Washington ashtu edhe në Jerusalem mbizotëron mendimi se këto janë tensione të rastësishme, të destinuara të mos prekin në afat të gjatë “marrëdhënien speciale” që ka bashkuar të dy vendet që nga vitet e Luftës së Ftohtë.

Izraeli mbetet vendi që ka marrë më shumë ndihma ushtarake amerikane se çdo tjetër në gjysmëshekullin e fundit.

E megjithatë, shumë kritikë izraelitë të qeverisë e akuzojnë Netanyahun se po rrezikon marrëdhëniet me një aleat jetik, mbështetja e të cilit është sigurisht e fortë, por jo gjithmonë e sigurtë.

Në fakt, nuk ka qenë gjithmonë rrugë e shtruar me trëndafila mes dy vendeve.

Në të vërtetë, nuk ka munguar armiqësia dhe dyshimi, duke përfshirë idenë e huazuar nga qeveria britanike para vitit 1948 se mbështetja e lëvizjes sioniste do të sillte një shkëputje me botën arabe me dëme serioze për ekonominë dhe importet e energjisë.

Sot duket shumë e largët, por ka pasur një periudhë në të cilën administrata amerikane e shikoi me dyshime të forta mundësinë e lindjes së Izraelit.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Truman u përplas me Sekretarin e tij të Shtetit, George Marshall, i cili mbështeti nevojën për të favorizuar aleancën me botën islame në një perspektivë anti-sovjetike.

Truman u ndikua fuqimisht nga drama e Holokaustit dhe nevoja pasuese për të krijuar një shtet strehimi për hebrenjtë e mbijetuar: Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë që de facto njohu ekzistencën e Izraelit menjëherë pas shpalljes së tij të pavarësisë më 14 maj 1948.

Megjithatë, njohja e parë de jure erdhi nga Moska.

Dhe për të mos harruar. Amerikanët dërguan ndihma humanitare, por armët për luftën e pavarësisë erdhën nga fronti komunist.

Deri në fillim të viteve 1950 nuk ishte e qartë nëse Izraeli do të ishte me botën perëndimore apo një peng sovjetik.

Stalini e mashtronte veten se kishte një aleat; ai i shikoi me simpati emigrantët hebrenj rusë që tani ishin ajka e klasës sunduese Ashkenazite; kibuçët mund të kujtonin kolkozët; Histadrut, qendra e sindikatave të Punës, ishte e lidhur ngushtë me socializmin sovjetik.

Siç vë në dukje historiani izraelit Uri Bialer: “Vetëm me Luftën Koreane, David Ben Gurion doli hapur në anën e amerikanëve”.

Në vitet e para të shtetit të ri, ndihmat ushtarake mbërritën falë dëmshpërblimeve gjermane të garantuara nga kancelari Adenauer dhe më pas nga Franca, e cila ishte edhe iniciatorja e bombës atomike izraelite.

Nga Shtetet e Bashkuara erdhi “ndalimi” vendimtar i luftës kundër Egjiptit të Naserit të nisur nga shteti hebre në 1956 së bashku me Francën dhe Anglinë.

Në atë rast, administrata Eisenhower (1953-1961) ishte e vendosur në kërkimin e tërheqjes së Izraelit nga Sinai, duke përfshirë Rripin e Gazës, kundër çdo revanshizmi kolonial dhe në emër të logjikës dy polëshe të imponuar nga Lufta e Ftohtë.

Ishte atëherë John Kennedy ai që i dha fund embargos së armëve ndaj Izraelit.

Por, Kennedy do të kishte dashur të çmontonte reaktorin bërthamor në Dimona nga frika se ai mund të shkaktonte garën e bombës atomike arabe.

Pas luftës së 1967, Shtetet e Bashkuara të Amerikës çimentuan aleancën: ata ishin kundër kolonive në territoret e pushtuara, megjithatë dërguan armë si kurrë më parë, deri në pikën e “shpëtimit” të vërtetë të Izraelit nga sulmi arab në tetor 1973.

Një moment i fundit i një krize akute u kthye në periudhën e marrëveshjeve të Oslos midis 1992 dhe 1994, kur Uashingtoni kërkoi me forcë ngrirjen e kolonive.

Presioni amerikan nuk pati efekte të rëndësishme dhe që atëherë procesi i paqes në fakt është bllokuar.

Autori Lorenzo Cremonesi, është gazetar për Corriere della Sera. Përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore