Përballje

Italia humb dy sulmuesit kryesorë për sfidën me Lituaninë


Problemet për përzgjedhësin e kombëtares së Italisë nuk kanë të ndalur.

Pasi lëshuan grumbullimin pak ditë më parë dy mesfushorët, Verrati e Pellegrini, trajneri Roberto Mancini do të vuajë edhe mungesën e sulmuesve kryesorë në përballjen me Lituaninë.

Bëhet fjalë për Ciro Immobile-n dhe Lorenzo Insigne-n, të cilët nuk do të mund të paraqiten në këtë sfidë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Immobile është larguar nga grumbullimi për shkak të problemeve fizike, ndërsa Insigne është kthyer para kohe në Napoli për probleme personale, thuhet në njoftimin e kombëtares italiane.

Në mungesë të sulmuesve, Mancini pritet t’i besojë nga minuta e parë, sulmuesit të Sassuolo-s, Giacomo Raspadori-t, kurse vendin e Insignes mund ta marrë futbollisti i Juventus-it, Federico Bernardeschi.

Pra, pa katër titullarët kryesorë në skuadër, tani përballja e tretë e muajit shtator, bëhet pak sa problematike për kampionin e Evropës në fuqi.

Italia vjen në këtë sfidë pas dy barazimeve zhgënjyese ndaj Bulgarisë dhe Zvicrës, derisa të kaltrit përsëri mbajnë vendin e parë në Grupin C me 11 pikë të grumbulluara, të ndjekur nga Zvicra me shtatë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore