Lajme

Ishte planifikuar sulm me eksploziv kundër Abe, por nuk u arrit


Vrasja e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, tronditi mbarë botën, pasi 41-vjeçari Tetsuya Yamagami e qëlloi dy herë politikanin e nivelit të lartë gjatë një takimi elektoral në Nara, me anë të një arme artizanale, duke e lënë atë të vdekur.

Më shokuese gjithsesi, mbetet dëshmia e autorit të ngjarjes, i cili ka deklaruar për Polici se ai pati planifikuar që Aben ta hiqte qafe me një shpërthim me eksploziv në një takim të mëparshëm që ish-kryeministri kishte pasur me banorët në Okayama, por nuk ia kishte arritur.

“Po mendoja ta vrisja ish-kryeministrin në Okayama, por pashë se kishte procedura për t’u futur në takimin elektoral dhe mendova se do ta kisha të vështirë të hyja”, u tha hetuesve Yamagami.

Teksa, në Nara, Abe ka qenë jo vetëm në mes të rrugës, duke folur lirshëm me njerëz, por edhe me një cungim të lartë të sigurimit përreth tij, sipas dëshmive të para nga efektivët e Policisë.

Ishte shefi i Policisë në distriktin e Nara-s, Tomoaki Onizuka, ai i cili hodhi dyshimet e para mbi sigurinë e cunguar në aktivitetin që Abe po zhvillonte, duke thënë se do të kryhet një hetim i thelluar mbi gjithçka ndodhi.

Itinerari i plotë i vrasësit ndërkaq, është bërë i ditur për autoritetet duke vëzhguar filmimet që prej zbritjes së tij nga një stacion treni.

Abe, 67-vjeçar, ka qenë drejtuesi më jetëgjatë i vendit në Japoni, duke gëzuar postin e lartë të kryeministrit për nëntë vjet në dy periudha të ndryshme. Në vitin 2020, ai u dorëhoq për shkak të komplikimeve shëndetësore, duke argumentuar se e kishte të vështirë të kryente në lartësinë e duhur detyrën e kreut të Qeverisë.

Fushatën që po e zhvillonte me njerëzit ndërkaq, e kishte në nder të partisë ku ai aderon, pasi në Japoni po zhvillohen edhe zgjedhjet dhe Abe, vijonte të mbetej figura më e larë politike në ishullin e largët e me influencë të madhe në shoqërinë civile.

Trupi i tij u kthye në Tokyo ditën e djeshme dhe të martën pritet të mbahet edhe funerali shtetëror.

E hëna ndërkohë, mund të shpallet ditë zie në Japoni, në nderim të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore