Lajme

Ish-përfaqësuesi i BE-së për statusin e Kosovës: Asociacioni të jetë një autonomi e kufizuar


Stefan Lehne

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se propozimi franko-gjerman do t’iu jepte fund mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo çfarë e shqetëson ish-përfaqësuesin e BE-së gjithë në këtë mes është se Kosova e Serbia po e paraqesin propozimin si diçka të imponuar nga jashtë.

“Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë. Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit”, ka thënë Lehne në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Plani i propozimit franko-gjerman në këtë fazë nuk e përfshinë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e një gjë e tillë sipas Lehne në thelb do të thotë se edhe vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën deri tash, mund të hezitojnë të lëvizin në këtë drejtim.

“Mendoj se, në thelb, janë tri motive për mosnjohjen e Kosovës. I pari përfshin vendet që, në përgjithësi, janë skeptike ndaj nismave perëndimore. Do të përmendja Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut… Pastaj janë vendet që kanë një miqësi të veçantë me Serbinë. Kjo, qartazi, është Rusia. Deri në një masë ndoshta edhe Greqia. Dhe vijnë vendet që kanë vetë probleme me pakicat, çështje të pazgjidhura të statusit, kanë arsye të brendshme politike. Këtu e kam fjalën për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë”, shton ai.

Lehne ndër të tjera mendon se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të jetë një lloj autonomie e kufizuar me kompetenca të kufizuara.

“Asociacioni është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet. Mendoj se duhet të jetë një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës”.

Ndërsa për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Lehne mendon se nëse Serbia nuk do ta bllokonte më Kosovën nga anëtarësimi në OKB, ky do të ishte një hap i madh për Kosovën.

“Por, nuk mendoj se Rusia, në këtë kohë, kur është në luftë me botën perëndimore, nuk do ta bllokojë [Kosovën] në Këshillin e Sigurimit. Pra, edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore