Lajme

Ish-ministri Reka: “Lamtumirë Mini-Shengen”


Blerim Reka, Ish-ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Blerim Reka, nismën e prezantuar gjatë ditës së enjte në Shkup nga ana e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, e ka konsideruar si strategjia e radhës e Beogradit për ta mbledhur Ballkanin brenda “botës Serbe”.

Ai përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se presidenti Vuçiç, e ndryshoi vetëm emrin e nismës së Novi Sad-it por jo edhe qëllimin e saj.

Sipas tij, nga viti 2019, Beogradi u përpoq ta shes idenë për “Jugosllavinë Evropiane”, me një emër tjetër, “Mini-Shengen Ballkanik”, “ama sërish nën hegjemoninë tregtare, ushtarake e politike serbe”.

“Ndryshimi i emrit nuk ndryshoi përmbajtjen. Atëherë si shtet i sllavëve të jugut, sot si ‘integrim rajonal’ me Shqipërinë plus”, ka shkruar Reka.

Ndryshe, ish-ministri e arsyetoi refuzimin e Kosovës për të qenë pjesëmarrës në këtë iniciativë.

“Kosova e refuzoi kategorikisht, jo vetëm pse nuk ishte ftuar si shtet sovran dhe i pavarur, por edhe nga rreziku i zëvendësimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me ‘integrim rajonal’ nën tutellën Serbe”.

Kryeministri Zaev, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama me 29 korrik të këtij viti kanë nënshkruar një paketë dokumentesh të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim rajonal.

Kjo është bërë në Forumin Ekonomik për bashkëpunim rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes vendeve u zyrtarizua edhe emri i nismës i cili tashmë titullohet “Open Balkan” apo “Ballkani i hapur”.

Në këtë ngjarje nuk ka marrë pjesë kryeministri Kurti, i cili ka kundërshtuar idenë e “Mini-Shengen-it” Ballkanik, duke e konsideruar atë si nismë pa vizion për rajonin.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin”, thuhej në përgjigjen e zyrës për media e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore