Lajme

Kosovë:”Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë”


Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte pjesëmarrës në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, i cili deri më tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik. Por për Qeverinë e Kosovës iniciativa e “mini-Shengenit”, është nismë pa vizion për rajonin.

Kështu është thënë përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës për Albanian Post duke shtuar se “qëndrimet e qeverisë për idenë e të ashtuquajturës ‘mini-Shengen’ tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si nikoqir i këtij takimi, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Zaev.

Emërtimi do të ndryshojë, por koncepti vijon të mbetet i njëjtë. Zyrtarisht, Open Balkan!

Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga tre krerë të tre shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev marrin pjesë në Forumin ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në Shkup më 29 korrik 2021.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet. Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore