Lajme

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë për 5 shtetet mosnjohëse të BE-së: Do ta shihni që po përdoreni nga Rusia


Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka uruar ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai madje ka shkruar se shpreson që pesë shtetet mos njohëse të Bashkimit Evropian do ta kuptojnë se me mos pranimin e shtetësisë së Kosovës po përdoren nga rusët.

“Urime Dita e Pavarësisë për Kosovën. Shpresoj që Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania do ta shohin së shpejti se po përdoren nga rusët”, ka shkruar Bosch.

Ndryshe, 17 shkurti në Kosovë, filloi me ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit në oborrin e përbashkët të Presidencës dhe Qeverisë në Prishtinë.

Nën tingujt e himnit të flamurit dhe nderimet e Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit lbin Kurti, Kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, flamuri u ngrit në ora 8 të mëngjesit të kësaj dite.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani uroi të gjithë qytetarët 14 vjetorin e pavarësisë duke shtuar se më 17 shkurt shënohet arritja më kulminante që populli i Kosovës e ka pasur në historinë e saj.

“Natyrisht që edhe këtë ditë si çdo ditë të punës e përpjekjeve tona, dua ta shfrytëzoj për të falënderuar e nderuar të gjithë ata që dhanë çdo gjë që kishin që ne at gëzojmë këtë ditë”.

“Duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i Pavarësisë së republikës së Kosovës President, Ibrahim Rugova, i cili diti t’a qartësoj vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijoj miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë”.

Kryeparlamentari Glauk konjufca tha se 17 shkurti mishëron përpjekjet e gjeneratave të ndryshme për lirinë politike të Kosovës.

“Sot është dita më e rëndësishme e Republikës së Kosovës sepse është dita e pavarësisë sonë. Kjo ditë mishëron e sublimon të gjitha përpjekjet dhe të gjithë sakrificën e gjeneratave për lirinë tonë politike”.

I fundit morri fjalën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fillim ai uroi të gjithë qytetarët për këtë ditë të veçantë, ai kujtoi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

“Teksa urojmë e festojmë nuk kemi se si të mos kujtojmë e të mos kujtojmë ata që punuan e luftuan për lirinë e popullit dhe pavarësinë e vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore