Lajme

IPK për plagosjen me armë në Mramor: Ndaj të plagosurve është hapur rast penal


Foto nga vendi i ngjarjes.

Më 1 maj, dy persona kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të një zyrtari policor, ndërsa ky i fundit është i është kundërpërgjigjur duke i plagosur dy të dyshuarit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet që kanë sjellur deri tek kjo ngjarje.

“Prokurori i Shtetit ka udhëzuar që në ketë fazë të hetimit të hapet rast penal ndaj dy qytetarëve të përfshirë në këtë rast, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëbajtje pa leje”, dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt, derisa të përmirësohet gjendja shëndetësore e personave të plagosur dhe të njëjtit do të monitorohen nga policia”.

“Ndërsa zyrtari policor Sh.E, në këtë fazë të hetimit mbetet në cilësinë e dëshmitarit dhe rasti do të hetohet nga Policia e Kosovës, në koordinim me hetuesit e IPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit”, njofton IPK.

Tutje, IPK në njoftim ka sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Hetuesit e IPK-së me të pranuar njoftimin i janë përgjigjur këtij rasti i cili ka ndodhur të Liqeni i Badocit në fshatin Mramor, Prishtinë, ku zyrtari policor Sh.E, derisa kishte qenë në piknik me shoqërinë e tij, ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë me dy qytetar të armatosur”.

Inspektorati Policor i Kosovës.

“Zyrtari policor gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me armën zyrtare ka plagosur dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor dhe shoqëruesit e tij që gjendeshin me të në piknik”.

Mirëpo, për shkak të hetimeve intensive dhe ruajtjes së integritetit të hetimeve, nga IPK është thënë se në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen informata të tjera.

Gjithashtu, ka apeluar tek qytetarët që kanë informata lidhur me këtë rast të informojnë Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës ose Prokurorinë e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore