Shqipëria

Importonte mallra “si ndihmë humanitare” – zbulohet skema 350 mijë euroshe


Të mërkurën e 24 nëntorit është goditur një skemë mashtrimi nga autoritetet doganore shqiptare që kapte vlerën e 356 mijë eurove.

Shtetasi me iniciale H.D, i cili ka luajtur rolin e përfaqësuesit ligjor, ka importuar në territorin shqiptar një sasi prej 864 mijë e 559 kilogramë me artikuj të ndryshëm industrial – si ndihmë humanitare.

Vlera e detyrimeve doganore, sipas njoftimit të Doganës, është rreth 34 milionë lekë.

Ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve shkon në mbi 200 milionë lekë (207,041.034 lekë).

Në total shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura është më shumë se 240 milionë lekë.

Administrata Doganore ka njoftuar përmbylljen me sukses të kësaj goditjeje në kuadër të luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

Në të përfshihen kontrabanda, mospagesa e taksave dhe tatimeve apo dhe fshehja e të ardhurave.

Sakaq, materialet për rastin në fjalë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe asaj Durrës.

Ato do të ndiqen për kryerjen e veprave penale  “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtari doganore”, “Kontrabandë me mallra me regjim të ndërmjetem”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtari kriminale”.

Këto janë të parashikuara nga nenet 174/2, 175, 177, 186/2, 180  dhe 287 të Kodit Penal.

Nga ana e Drejtorisë së Hetimit Doganor, bëhet me dije se po vazhdojnë procedurat e mëtejshme hetimore për nxjerrjen e rasteve të ngjashme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore