Lajme

Ideatori i fushatës për “çnjohjet” rikthehet si kryediplomat i Serbisë – Cili është mesazhi i Vuçiç-it me këtë lëvizje?


Ivica Daçiç

Partia Progresiste Serbe (SNS) e cila udhëhiqet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të dielën e 23 tetorit ka shpallur propozimet e kandidatëve për përbërjen e qeverisë së re.

Në mesin e ministrave që do ta kenë shefe Ana Brnabiç-in, është edhe Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiç, i cili do ta zëvendësojë “diplomatin e sheqerit“, Nikola Selakoviç.

Me (ri)emërimin e Daçiç-it në këtë post, Serbia edhe njëherë po e dëshmon që nuk është e gatshme dhe nuk dëshiron ta zgjidhë problemin me Kosovën, thotë profesori i Shkencës Politike, Dritëro Arifi, në një prononcim Albanian Post.

“Kjo politikë është rikthim në vitet e 90’, me një ministër të (Slobodan) Millosheviç-it dhe një zëdhënës të Millosheviç-it”, kujton ai duke iu referuar sëpari Vuçiç-it dhe pastaj Daçiç-it, të cilët kanë qenë bashkëpuntor të tiranit serb.

“Me një mentalitet nacionalist dhe fashist, nuk shoh ndonjë përmirësim të kësaj politike”, argumenton Arifi duke shtuar se kjo lëvizje nga pala serbe “vjen për shkak se bota perëndimore po tregohet jashtëzakonisht shume e butë me Serbinë”.

Ndërkaq, për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, rikthimi i Daçiç-it si shef i diplomacisë është veçse çështje e fuqisë politike.

“SNS-ja duhet patjetër të ketë SPS-në nën sqetull për vendime të mëdha në mënyrë që të ndahet përgjegjësia”, thekson ai për AP.

Duke u nisur nga karriera politike e Daçiç-it, nuk ka dyshim se ai do të udhëheq një politikë të egër karshi Kosovës, por sipas Hotit, “kushdo qe ka mbajtur këtë post në të kaluarën nuk është që ka ndryshuar shumë në pozicionin serb”.

Ndryshe, Ivica Daçiç, i cili ishte kryetar i Kuvendit të Serbisë në mandatin e kaluar, do të rikthehet në ministrinë që drejtoi në qeverinë e Aleksandar Vuçiç-it dhe më pas të Ana Brnabiç-it, nga viti 2014 deri në vitin 2020.

Ai ka qënë edhe Kryeministër i Serbisë gjatë periudhës 2012-2014 dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit me Kosovën në prill të vitit 2013.

Megjithëse ishte ventrilokuisti kryesor propagandistik i Millosheviç-it, ai pretendon se e ka lënë pas të kaluarën e tij ultra-nacionaliste.

Po ashtu, Daçiç është më i fuqishmi socialist serb pas Millosheviç-it, njeriu që i kontrollon nacionalistët e majtë, pra i domosdoshëm në rast të ndonjë Marrëveshjeje me Kosovën.

Me Daçiç-in ministër të jashtëm dhe Aleksandër Vulin-in në krye të spiunazhit (BIA), Vuçiç më lehtë do t’ua shesë serbëve çfarëdo Marrëveshje e cila sipas skenarit të para-marrëveshjes të publikuar nga Albanian Post me 20 tetor, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore