Lajme

BIA famëkeqe pritet të udhëhiqet nga Aleksandër Vulin


Aleksandër Vulin

 

Shefi i ri i Shërbimit Sekrtet të Serbisë (BIA), pritet të jetë Aleksandër Vulin, i cili aktualisht është ministër i Punëve të Brendshme.

Të paktën kështu bënë të ditur e përditshmja serbe “Nova”, duke u thirrur në burime brenda institucioneve serbe.

“Presidenti i SNS-së (Partia Progresiste Serbe), Aleksandër Vuçiç, me rastin e shpalljes së përbërjes së kabinetit të Qeverisë së re të Serbisë, nuk ia ka lexuar emrin, por as nuk e ka falënderuar për ‘bashkëpunimin e deritanishëm’, që sipas burimeve tona tregon se atë e pret një pozicion i ri”.

Vulin njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irridentiste për të krijuar të ashtuquajturën “Botë Serbe”, e cila, sipas tij, do të bashkonte “të gjithë serbët kudo që janë” brenda asaj që ai e quan “Botë Serbe”.

“Bota Serbe”, viteve të fundit, është një politikë e lansuar pikërisht nga korrieri i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pra, e njeriut që udhëheq aktualisht departamentet e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi.

Ai në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Vuçiç-it, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiç-in nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.

Ndryshe, gjatë ditës SNS-ja ka shpallur propozimet e kandidatëve për ministra në qeverinë e re.

Vuçiç tha se kryesia e SNS-së ka pranuar propozimin e përfaqësueses Ana Brnabiç për përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, raporton N1.

Sipas këtij propozimi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme do të jetë Ivica Daçiç, ndërsa ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër Millosh Vuçeviç.

Ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër do të jetë Sinisha Mali, ndërsa Tomislav Momiroviç do të jetë ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Departamenti i Bujqësisë dhe Pylltarisë do të udhëhiqet nga Jelena Tanaskoviç, Mjedisi nga Irena Vujoviç dhe Ndërtimtaria nga Goran Vesiç.

Ministre e Minierave dhe Energjetikës do të jetë Dubravka Negre.

Aleksandër Martinoviç do të drejtojë Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa Tomislav Zhigmanov do të drejtojë ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogun Social.

Ministër i Punëve të Brendshme do të jetë Bratislav Gashiç, Tanja Misceviç do të jetë ministre për Integrime Evropiane, ndërsa Departamenti i Shkencës dhe Inovacionit do të drejtohet nga Jelena Begovic.

Ministre e Shëndetësisë do të jetë Danica Grujiçiç, për punë, punësim dhe çështje të veteranëve Nikolla Selakoviç dhe për përkujdesje familjare Darija Kisiç.

Husein Memiç do të jetë Ministër i Turizmit dhe Rinisë, ndërsa Zoran Gajic do të jetë Ministër i Sportit.

Në krye të ministrisë së Kulturës do të mbetet Maja Gojkoviç, ndërsa Ministrinë për përkujdesje ndaj fshatit do ta kryesojë Milan Krkobabiç.

Të paplotësuara mbetën ministritë e telekomunikacionit dhe informacionit, si dhe ministritë e investimeve publike.

Si funksionon BIA? – Historiku i organizatës famëkeqe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore