Kosova

Regjistrimi i popullsisë, Tahiri: Shteti të rimendojë politikat si refleksion i statistikave


Besnik Tahiri

Në vlerësimin e Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, regjistrimi i Popullsisë 2024 prodhon efekte të dyanshme, sipas tij, negative dhe qartësi.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që të shtunën ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë.

“Financimi komunal, përcaktohet sipas formulës ku kriteri kryesor i ndarjes buxhetore është numri i banorëve. 89% e grantit për komuna ndahet në bazë të kriterit ‘Për Kapita’. Kjo situatë do të reflekton edhe në numrin e anëtarëve të kuvendeve komunale dhe pagat e të emëruarve dhe zgjedhurve politik”, e renditi Tahiri si efekt negativ.

Si përgjigje ndaj kësaj, ai potencon se duhet reflektuar edhe formulat e financimit, “ngase komunat përtej numrit të banorëve kanë përgjegjësinë e investimeve kapitale, e kjo me shtrirje të gjerë në territor, mirëmbajtjen e objekteve shkollore, spitalore e publike, si dhe pagesat e komunaleve e bënë edhe më të vështirë”.

“Për këtë duhet të sillet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, projektligji për Financat e Pushtetit Lokal, si instrument për financim të qëndrueshëm e garantim të mirëqenies dhe zhvillimit në komuna”, shtoi.

Duke folur për qartësinë që e krijon ky proces, deputeti i AAK-së ka theksuar se është e vërtetë që numrat pas regjistrimit do të pasqyrojnë më qartë planifikimin e politikave, ashtu siç deklaroi edhe kryeministri Albin Kurti.

“Mirëpo, kjo domosdo duhet të ndiqet edhe me programe për përkrahjen e familjes, si domosdoshmëri që të mos përmbyset piramida e moshës”, pohoi.

Pas regjistrimit të popullsisë, në prizmin e Tahirit, “është e domosdoshme që shteti të rimendoi politikat si refleksion i statistikave, por edhe thelluar në trajtimin analitik dhe veprim qeverisës, përndryshe sistemi i financimit komunal do të kapitullon”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e regjistrimit të popullsisë,  i nisur më 5 prill të këtij viti.

“Kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë”, ka thënë ai fillimisht në fjalimin e tij në shënim e përfundimit të këtij procesi.

Sipas tij, autoritetet kosovare kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhshmes.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, është shprehur ai.

Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit.

Ai ka falënderuar edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill.

Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe ashtu ndodhi.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në Veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore