Lajme

Vuçiç: Më goditi fort që Maqedonia e Veriut votoi pro rezolutës për Srebrenicën


Aleksadër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se e ka goditur fort fakti që Maqedonia e Veriut votoi pro rezolutës që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Maqedonia e Veriut më goditi fort. Unë kam investuar më së shumti në marrëdhëniet me vëllezërit tanë maqedonas, por kjo nuk ishte e drejtë”, tha Vuçiç.

Kreu i Serbisë pretendoi se Greqia, e cila abstenoi gjatë votimit, “ka më shumë kurriz se Shkupi”.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi të enjten rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, Aleksandër Vuçiç, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët më 11 korrik 1995, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së | + / Për – / Kundër X / Abstenim

Në Srebrenicë, forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiç vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë në korrik të vitit 1995. E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore