Përballje

Ibrahimovic i përlotur në konferencën për media flet për Milanin dhe Suedinë


Vështirë për ta besuar, por i ndodh Zlatan Ibrahimovic-it që të mos i mbajë lotët.

Ai u përlot teksa foli për rikthimin e tij tek ekipi Kombëtar i Suedisë duke thënë “që të luash për ekipin Kombëtar, është gjëja më e madhe që mund të bëjë një futbollist”, gjithashtu gjatë konferencës për media, Ibra foli edhe për kohën që po kalon tek ekipi i tij, Milan.

“Pas dy vitesh te Los Angeles Galaxy, unë akoma ndjehesha i fortë, pastaj agjenti im më tha se ishte shumë e lehtë për mua të luaja në Shtetet e Bashkuara. Kështu që e pyeta se kush kishte më shumë nevojë për mua dhe ai u përgjigj duke më dhënë emrin e Milanit, kështu që ai thirri kuqezinjtë dhe ja tani ku jam” theksoi Ibrahimovic.

Ai gjithashtu thotë se ndien dashuri të madhe për shokët e skuadrës “Kuqezi”.

“Unë jam optimist për Serie A, është krijuar një harmoni e shkëlqyeshme në grup, dhe një ditë pa shokët e mi të Milanit është si një ditë pa fëmijët e mi. Është sikur të ishin ulur në një dhomë dhe të gjithë po prisnin të vinte Zlatan dhe të tregonte se çfarë të bënin, dhe natyrisht unë dua të jem pjesë e asaj dhome” shtoi Zlatan.

39-vjeçari, gjithashtu foli edhe për rikthimin e tij të Kombëtarja e Suedisë, duke thënë që do t’i dëshmojë në fushë premtimet që i bëri trajnerit Janne Andersson.

“Ndodhem këtu, jo sepse e kam emrin Zlatan Ibrahimovic, por sepse e meritoj të jem këtu. Gjithçka që kam bërë në të kaluarën, nuk ka rëndësi. Ndihem në formë, dua të përfshihem dhe mendoj se akoma mund të kontribuoj për ekipin kombëtar”

“Nëse më pyesni mua, unë jam më i miri në botë, por kjo nuk na ndihmon këtu. Dua ta vë përvojën time në dispozicion të ekipit dhe i kam premtuar trajnerit se do të jem vendimtar, por tash duhet ta dëshmoj në fushë”, përfundoi Zlatan Ibrahimovic.

Kujtojmë që Ibra bashkë me ekipin e Kombëtarës suedeze, do të luajë kundër Kosovës më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por para ndeshjes me Dardanët, Suedia do të përballet me Gjeorgjinë me 25 mars.

Sulmuesi shtatëlartë mungoi te ekipi i Suedisë për një periudhë pesë vjeçare, dhe përkundër moshës së tij, 39-vjeçari, po vazhdon me formë fantastike te ekipi i Milanit dhe kjo e ka bindur përzgjedhësin Andersson që ta rikthejë në përfaqësuese.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore