Kosova

G7: Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog – t’i respektojnë marrëveshjet e arritura


Ministrat e Jashtëm të G7 – Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, SHBA-së dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, janë mbledhur në Gjermani dhe përmes një komunikate për media kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por edhe që t’i respektojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Po ashtu u kërkohet “të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre përkatëse evropiane”.

Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që të kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon.

‘Ne i bëjmë thirrje Serbisë të bëjë të njëjtën gjë. Ne mirëpresim përafrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës me masat kufizuese të BE-së ndaj Rusisë dhe përafrimin e njëanshëm të Kosovës me ato masa. Ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor që të reduktojë varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse dhe cenueshmërinë ndaj detyrimit ekonomik”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim potencohet se “ne ripohojmë përkushtimin tonë ndaj perspektivës evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”.

“Ne mirëpresim që Ballkani Perëndimor të qëndrojë i bashkuar në dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, veçanërisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (UNGA). Ne përgëzojmë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përafrimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në, përfshirë sanksionet dhe zbatimin e tyre”.

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë

Në komunikatë theksohet se “ne jemi të shqetësuar për thellimin e krizës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe dënojmë çdo përpjekje për të minuar unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.

“Ne nuk do të tolerojmë politikat në Republika Srpska, të cilat rrezikojnë të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës dhe stabilitetin në rajon. Ne kërkojmë kthimin në funksionalitetin e plotë të qeverive në të gjitha nivelet për të rifilluar plotësisht punën e tyre, duke lënë mënjanë retorikën përçarëse dhe nxitëse dhe duke shmangur çdo akt që mund të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën.

G7 u bën thirrje të gjitha partive në vend që të sigurojnë që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen siç është parashikuar në tetor dhe se mbështesin plotësisht mandatet e Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore