Kosova

Hoti: Kosova pa “zot shtëpie” që kujdeset për ekonominë


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës është duke përsuar rënie përgjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), derisa ka shtuar se në tri vite të qeverisjes, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm.

“Pa zot shtëpie që kujdeset për ekonominë e bashkëpunon me sektorin privat, rritja ekonomike është shafitur në nivele të ulëta që as amortizimi i kapitalit nuk mbulohet”, ka shkruar deputeti Hoti derisa i është kundërpërgjigjur zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët, jo rrallëherë lavdërohen për “suksesin” që ka arritur vendi në aspektin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

“Kjo ka qenë e pritshme. Në tri vite të qeverisjes, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm. Investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur jashtëzakonisht shumë. E gjithë politika ekonomike është reduktuar në subvencione, të cilat mundësojnë mbijetesë, por jo zhvillim”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Në ndërkohë po vazhdon edhe “ping-pongu” se kush ka më shumë faj. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore