Lajme

Hoti e Krasniqi kërkojnë nga institucionet më shumë angazhim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur


Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në Ditën Ndërkombtare të të Zhdukurve me Dhunë ka thënë se zemrat dhe mendjet janë me familjet e tyre, teksa presin për vendosjen e drejtësisë së bashku.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se akoma presin mbështetje nga ndërkombëtaret për zbardhjen e secilit rast.

“Fatkeqësisht, ende ka shumë persona të pagjetur. Përpjekjet e miqve tanë për të detyruar Serbinë të ofrojë informata për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve nuk kanë qenë plotësisht të suksesshme. Sigurisht se jemi falënderues ndaj miqve për ndihmën e dhënë në gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur”.

“Por ne ende kërkojmë mbështetjen e tyre dhe përpjekjet tona nuk do të ndalen deri në zbardhjen e secilit rast”.

Ai ka thënë se e vetmja mënyrë që të arrihet paqja është që të përballet me të kaluarën.

“Populli i Kosovës e do paqen, por paqja arrihet duke u përballur me të kaluarën”.

“Varrezat masive gjithandej nëpër Serbi, ku janë groposur shqiptarët e masakruar e të bartur atje nga strukturat e shtetit serb, janë dëshmi e të kaluarës kriminale të shtetit serb që ende nuk e ka pranuar përgjegjësinë dhe nuk ka kërkuar falje. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e drejtë”.

Hoti, ka kërkuar që në dialog me Serbinë asnjëherë mos ta lënë anash këtë plagë të hapur.

“Bartësit e institucioneve të Kosovës, në çdo veprim të tyre në dialog me Serbinë, nuk duhet ta lënë anash këtë plagë të hapur. Të qetë nuk mund të jemi, derisa nuk zbardhet secili rast”.

Edhe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se institucionet duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të Personave të Zhdukur me Dhunë.

“Prapa secilit prej tyre, qëndrojnë familjet që mbi dy dekada jetojnë me dhembjen dhe ankthin e mosnjohjes së të vërtetës për ta”.

“Institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, si dhe institucionet ndërkombëtare duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave, si dhe sa më shpejtë të vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e tyre”.

Në Kosovë të mërkurën e 30 gushtit shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me 4 prill.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore