Sport

Historiku i gjyqtarit që do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Milan – Inter


UEFA ka caktuar gjyqtarin spanjoll, Jesus Gil Manzano, për ta gjykuar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Milan-it dhe Inter-it të mërkurën në mbrëmje.

Manzano do të asistohet nga një ekip bashkatdhetarësh, duke përfshirë asistentët Diego Barbero Sevilla dhe Angel Nevado Rodriguez, zyrtari i katërt Jose Maria Sanchez Martinez dhe VAR-i: Juan Martinez Munuera dhe Alejandro Hernandez Hernandez.

Spanjolli dhe skuadra e tij do të jenë më të njohur me Milan-in sesa Inter-in, duke pasur parasysh se ai i ka drejtuar kuqezinjtë në tre ndeshje të mëparshme në Evropë, duke përfshirë “play-off”-in e Europa League kundër Rio Ave në vitin 2020, pastaj kundër Yllit të Kuq në vitin 2021 dhe kundër Dinamo Zagrebit në fazën e grupeve të këtij viti.

Ndërsa, kjo do të jetë hera e parë që Manzano përfshihet në ndonjë ndeshje të Inter-it në karrierën e tij.

39-vjeçari bëri debutimin e tij si gjyqtar në La Liga 11 vjet më parë, kur ishte vetëm 28 vjeç dhe para se të mbushte 30 vjeç u bë arbitri më i ri nga Spanja që ka arritur statusin ndërkombëtar.

Një fakt interesant është që Manzano u bë arbitri i parë që përjashtoi Lionel Messi-n për Barcelonën gjatë ndeshjes së “Copa Del Rey” 2021 kundër Athletic Bilbao-s.

Mbrëmja e së mërkurës do të jetë hera e parë që Manzano do të paraqitet në fazën gjysmëfinale të Champions-it pasi më parë kishte gjykuar vetëm në gjysmëfinale.

Sezoni i Manzanos:

Këtë sezon, arbitri spanjoll ka drejtuar 32 ndeshje në total me 160 kartonë të verdhë, katër kartonë të kuq për dy kartonë të verdhë.

Në Ligën e Kampionëve ai u emërua në pesë raste me 26 kartonë të verdhë, asnjë të kuq dhe një penallti (ajo e shënuar nga Giroud në Milan – Dinamo Zagreb).

Krahas ndeshjes mes italianëve dhe kroatëve, Manzano ka gjykuar Benfica – Psg dhe Eintracht Frankfurt-Marseille në fazën e grupeve.

Në fazën e 1/8-ve të finales ai u përdor në ndeshjen e parë ndërmjet Borussia Dortmund-it dhe Chelsea-t, ndërsa në çerekfinale ai drejtoi suksesin 3:0 të Manchester City-t kundër Bayern Munich në ndeshjen e parë.

Në karrierën e tij Manzano ka drejtuar në përgjithësi 19 ndeshje në Champions League me 72 kartonë të verdhë, asnjë të kuq dhe shtatë penallti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore