Kosova

Haxhiu prezanton projektligjin e ri për KPK-në, opozita e kundërshton: S’u morën për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias


Komisioni për Legjislacion

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këtë të enjte në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin ka shpalosur Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji i ri i cili është hartuar pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas Haxhiut, përmban disi risi dhe adreson vendosjen e kritereve për përbërjen e Këshillit, fuqizimin e rolit dhe rritjen e transparencës.

Megjithatë i njëjti Projektligj, si herën e kaluar, është kundërshtuar nga deputetët e partive opozitare të cilët janë anëtarë të këtij komisioni duke e cilësuar këtë Ligj si problematik dhe rrezik për demokracinë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, shprehu kritikat e tij për këtë projektligj, për çka tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.

“Ky dokument nuk i ka marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është e papranueshme se si ju ende nuk keni marrë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Selmanaj.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, u shpreh se ky projektligj është problematik.

Gjatë Komisionit për Legjislacion, ka pasur edhe një përplasje verbale në mes Haxhiut dhe deputetes së PDK-së, Blerta Deliu Kodra.

Kjo e fundit tha se shumica e ligjeve të pushtetit, janë refuzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Për këtë reagoi Haxhiu, e cila ka thënë “mos manipulo”.

Paraprakisht deputetja opozitare tha se Haxhiu po qaset në mënyrë të habitshme me opozitën.

“Është e habitshme se si i qaseni opozitës. Po flisni për një reformë të njëanshme. Sot po zbërthehet në një qasje të njëanshme. Është e papranueshme që t’i qaseni një anshëm Komisionit të Venecias”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore