Kosova

Haxhiu në Hagë takohet me Kryetaren e Dhomave të Specializuara


Ekaterina Trendafilova, Kryetare e Dhomave të Specializuara, Albulena Haxhiu, Ministre e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe Fidelma Donlon, aministratore në Gjykatën Speciale

Në ditën e tretë të qëndrimit në Hagë, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, dhe administratoren, Fidelma Donlon.

“Gjatë këtij takimi zyrtar u diskutua lidhur me punën e Gjykatës, rregullat e aplikueshme, transparencën, ndihmën juridike falas si dhe çështje të tjera me rëndësi që përfshihen në mandatin e DHSK”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Një ditë më parë Haxhiu kishte takuar Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn.

Ndërsa të mërkurën, në ditën e parë të vizitës ministrja kishte zhvilluar takime me Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin.

Haxhiu dhe delegacioni i cili po qëndron në një vizitë zyrtare prej tre ditësh në Hagë, nuk ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin. Pasi që sipas zëdhënësit të Ministrisë, Flamur Pireva, këta dy të fundit nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së ministres për takim.

Arsyet se pse Thaçi dhe Veseli nuk kanë pranuar takimin me Haxhiun nuk janë bërë të ditur.

Pjesë e delegacionit, veç ministres Haxhiu, janë edhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputeti Erxhan Galushi.

Ministrja Haxhiu ka të kaluar me plotë përplasje si me Thacin ashtu edhe me Veselin.

Madje, me ish-kryeparlamentarin kishte pasur një përlasje tejet të ashpër.

Ajo, në momente eskalimi, në një nga seancat sa Vetëvendosje ishte akoma në opozitë, e kishte quajtur Veselin “kriminel”.

Ishte edhe tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që shumë shpesh kishte akuzuar Thaçin e Veselin.

Madje, Kurti kishte dalë një herë edhe me një shkrim të gjatë, të titulluar “shko Hashim”, ku argumentonte se si Thaçi duhet të pranojë të shkojë të gjykohet nga Gjykata Speciale.

Gjithashtu, Kurti kishte kërkuar nga Thaçi që menjëherë të jap dorëheqje kur ishte zbuluar aktakuza e tij nga prokuroria në Hagë.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore