Lajme

Ministria konfirmon lajmin e Albanian Post: Thaçi dhe Veseli e refuzuan Haxhiun


Hashim Thaci dhe Kadri Veseli

Lajmin e raportuar të hënën nga Albanian Post se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk kanë pranuar të takohen me ministren, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës së saj në Hagë, e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar. Me aq sa e dimë ne, ata kanë refuzuar një kërkesë tonën, por vullneti i ministres është akoma që të takojë të gjithë të burgosurit”, ka thënë Flamur Pireva, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë, në një përgjigje të shkurtër për Albanian Post.

AP ka pyetur edhe në Gjykatën Speciale për të konfirmuar nëse është bërë një kërkesë nga ministrja Haxhiu dhe delegacioni që do të udhëtojnë drejt Holandës, por Angela Griep nga Zyra për Media e Gjykatës Speciale ka thënë se nuk mund ta japin një informacion të tillë.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat që u bëhen të paraburgosurve”, tha Griep në një përgjigje me email për AP-në.

Një takim të mundshëm të Haxhiut me Thaçin e Veselin e kishte paralajmëruar para disa ditësh edhe kryeministri Albin Kurti në një emision televiziv, por edhe ai kishte shprehur dyshime nëse do të pranojnë dyshja ta takojë ministren.

Kjo pasi nuk kishin pranuar të takohen as me zëvendës-ministrin, Blerim Sallahu, kur kishte ai kishte bërë vizitë në Holandë.

“Shpresoj se do të pranojnë ta takojnë ministren”, kishte thënë Kurti, duke shtuar se ekziston gatishmëria të ndihmohen, porse “ata duhet të na tregojnë se si t’iu ndihmojmë”.

Ndryshe nga Thaçi e Veseli, të tjerët që po mbahen në paraburgim do të takohen me ministren dhe pjesën tjetër të delegacionit.

Siç ka treguar zëdhënësi i ministrisë së Drejtësisë, Flamur Pireva, për Albanian Post, grupi do të udhëtojnë për në Holandë nesër, e martë, dhe takimet do t’i realizojnë me 30, 31 mars dhe 1 prill (të mërkurën, të enjten dhe të premten).

“Delegacioni nga Republika e Kosovës do të takohet me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën”, ka treguar Pireva për AP.

Albulena Haxhiu

Pjesë e delegacionit, veç ministres Haxhiu, do të jenë edhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputeti Erxhan Galushi.

Ministrja Haxhiu ka të kaluar me plotë përplasje si me Thacin ashtu edhe me Veselin.

Madje, me ish-kryeparlamentarin kishte pasur një përlasje tejet të ashpër.

Ajo, në momente eskalimi, në një nga seancat sa Vetëvendosje ishte akoma në opozitë, e kishte quajtur Veselin “kriminel”.

Ishte edhe tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që shumë shpesh kishte akuzuar Thaçin e Veselin.

Madje, Kurti kishte dalë një herë edhe me një shkrim të gjatë, të titulluar “shko Hashim”, ku argumentonte se si Thaçi duhet të pranojë të shkojë të gjykohet nga Gjykata Speciale.

Gjithashtu, Kurti kishte kërkuar nga Thaçi që menjëherë të jap dorëheqje kur ishte zbuluar aktakuza e tij nga prokuroria në Hagë.

Gjykata Speciale

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore