Lajme

“Në ring s’na ka mposhtur askush”, Ahmeti, VMRO-së: Më 24 prill u përballëm me VLEN-in, më 8 maj me ju


Ali Ahmeti

“Ky front më 24 prill u përball me opozitën [shqiptare] ‘VLEN’, dhe më 8 maj do të përballemi me [partinë nacionaliste maqedonase] VMRO-DPMNE-në”, ka thënë Ali Ahmeti.

Këto komente, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i ka bërë gjatë tubimeve në Strugë dhe Dibër, ku ka theksuar se derisa Fronti Evropian doli me platformën “Po Evropës, Jo Rusisë”, opozita shqiptare, e shoqëruar nga VMRO-DPMNE, doli me fushatën e vetme “për rrënimin e BDI-së”.

“Më 8 maj t’i afrojmë të gjithë në këtë referendum se a do të shkojmë me hapat e duhur drejt anëtarësimit në Evropë, apo do të mbetemi tek izolimi. Formula është e qartë, do të ecim drejt integrimit apo izolimit”, deklaroi Ahmeti.

Izolimi, në vlerësimin e kreut të BDI-së, “nuk na sjellë asnjë dobi”.

“Ne do të kemi një përplasje politike me VMRO-në lidhur me konceptet tona, filozofitë tona, por filozofia jonë është më progresivja për shtetin”, ka vlerësuar Ahmeti.

Ai u tha aktivistëve të BDI-së në Strugë se ata janë garanca e fitores, derisa iu rikujtoi atyre se nuk kanë humbur asnjëherë zgjedhje.

“Uroj që më 8 maj, ju jeni garanca e vetme që fitoren do e thelloni, mandatet do i rrisni. Dhe përballjen… mos u mërzisni se të ringut kemi qenë dhe mbetemi. Në ring s’na ka fituar askush”, shtoi.

Ndryshe, partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, më në krye liderin e saj, Hristjan Mickoski, gjithë fushatën e tyre zgjedhore e kanë reduktuar në sulme ndaj BDI-së, posacërisht kryetarit të saj Ahmeti.

Maqedonia e Veriut më 8 maj do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe raundin e dytë të atyre presidenciale.

Te kampi shqiptar garojnë dy tabore, “Fronti Evropian” dhe koalicioni “VLEN”.

Këto zgjedhje mbahen pak javë pas raundit të parë të atyre presidenciale (24 prill), të cilat, Bujar Osmani, i “Frontit Evropian” në kampin shqiptar i fitoi me një diferencë rreth 40 mijë votash ndaj Arben Taravarit të VLEN.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore