Lajme

Mickoski: Qeverinë e re e formon VMRO-ja me VLEN – s’kam dëgjuar se i kanë kusht ndryshimet kushtetuese


Hristjan Mickoski

Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, ka thënë se qeveria e ardhshme, që do formohet pas zgjedhjeve të 8 majit, do të bëhet mes partisë që ai udhëheqë dhe koalicionit të partive opozitare shqiptare “VLEN”, duke shtuar se të njëjtit nuk i kanë kusht ndryshimet kushtetuese për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.

Këto komente, Mickoski i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, derisa iu kundërpërgjigj Kreshnik Bekteshit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili theksoi se lideri nacionalist maqedonas duhet ta kërkojë në “Google Maps”, Reçicën e Vogël, vendi ku gjendet selia kryesore e BDI-së.

“E kam gjetur Reçicën e Vogël, por do të shohim tutje si do të funksionojnë ata Google maks…Maps dhe nëse do të jetë Idrizova destinacioni që ata do ta kërkojnë”, tha fillimisht Mickoski, transmeton “TV21”.

Ai ka shtuar se sa i përket qeverisë së re, qytetarët kanë folur duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale – të fituar në kampin maqedonas bindshëm nga VMRO-ja – por si partnerë shqiptarë ka zgjedhur “VLEN”-in, ndonëse janë humbës të zgjedhjeve presidenciale nga “Fronti Evropian” te shqiptarët për rreth 40 mijë vota.

“Qytetarët folën, koalicioni i ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheq VMRO-DPMNE, ndërsa në të do të jetë koalicioni që në këto zgjedhje mori pjesë nën emrin VLEN”, potencoi ai.

Ndërkaq, sa i përket nëse do t’i pranojë kushtet e “VLEN”-it për ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian – pohoi se nuk ka dëgjuar për këso kërkesash nga ta.

“Me BDI-në nuk kemi qëllim të jemi…Me VLEN? Unë nuk kam dëgjuar që VLEN ka kusht të tillë, atë kusht po e imponon BDI, duke kërkuar kashtë për shpëtim”, deklaroi Mickoski.

Ndryshe, dy ditë pasi që Mickoski shprehu gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme, lideri i koalicionit “VLEN”, Bilall Kasami, ka konfirmuar se janë pro-një qeveri të tillë, derisa ka thënë se në ekzekutivin që do të dalë pas zgjedhjeve të 8 majit, do të jenë garantues të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, mirëpo nuk është përgjigjur qartë nëse qeveria e re do të formohet pa ndryshimet kushtetuese.

Këto komente, Kasami i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, vetëm dy ditë pasi që Arben Taravari, kandidati i “VLEN”-it për President të Maqedonisë së Veriut, humbi zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar, me një diferencë rreth 40 mijë vota, ndaj kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.

“Do të ketë qeveri evropiane ku koalicioni ‘VLEN’ tashmë është paralajmëruar se do të jetë pjesë e saj. Në atë qeveri sigurisht që kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që garantojmë rrugëtimin evropian të vendit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, tha Kasami.

“Ne kemi thënë që në një qeveri ku do të jetë koalicioni ‘VLEN’ sigurisht që do të garantojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, dhe sigurisht që e kemi thënë edhe më herët që në një qeveri të tillë do të jetë shumë më lehtë… qoftë VMRO-ja në qeveri apo cila do parti politike të bëhen ndryshimet kushtetuese”, shtoi.

Prandaj, pretendoi Kasami, “kur ne themi se do të bëhen ndryshimet kushtetuese nuk jemi si BDI që për 10 vjet bashkëqeverisi me VMRO-në dhe nuk e bëri hapin më të vogël drejt integrimit evropian”.

“Ne e themi që jemi garant të avancimit të ndryshimeve kushtetuese dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore