Lajme

Kasami konfirmon se do të ketë qeveri me VMRO-në: Është paralajmëruar se VLEN do jetë pjesë e ekzekutivit


Bilall Kasami

Dy ditë pasi që Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, shprehu gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme, lideri i koalicionit “VLEN”, Bilall Kasami, ka konfirmuar se janë pro-një qeveri të tillë, derisa ka thënë se në ekzekutivin që do të dalë pas zgjedhjeve të 8 majit, do të jenë garantues të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, mirëpo nuk është përgjigjur qartë nëse qeveria e re do të formohet pa ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.

Këto komente, Kasami i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, vetëm dy ditë pasi që Arben Taravari, kandidati i “VLEN”-it për President të Maqedonisë së Veriut, humbi zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar, me një diferencë rreth 40 mijë vota, ndaj kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.

“Do të ketë qeveri evropiane ku koalicioni ‘VLEN’ tashmë është paralajmëruar se do të jetë pjesë e saj. Në atë qeveri sigurisht që kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që garantojmë rrugëtimin evropian të vendit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, tha Kasami.

“Ne kemi thënë që në një qeveri ku do të jetë koalicioni ‘VLEN’ sigurisht që do të garantojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, dhe sigurisht që e kemi thënë edhe më herët që në një qeveri të tillë do të jetë shumë më lehtë… qoftë VMRO-ja në qeveri apo cila do parti politike të bëhen ndryshimet kushtetuese”, shtoi.

Prandaj, pretendoi Kasami, “kur ne themi se do të bëhen ndryshimet kushtetuese nuk jemi si BDI që për 10 vjet bashkëqeverisi me VMRO-në dhe nuk e bëri hapin më të vogël drejt integrimit evropian”.

“Ne e themi që jemi garant të avancimit të ndryshimeve kushtetuese dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve”.

Se koalicioni “VLEN”, pretendon të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme maqedonase, ndonëse pa përfunduar procesi elektoral, dhe madje pasi që i humbën zgjedhjet presidenciale, e tha të premten edhe Afrim Gashi, kreu i “Alternativa”, pjesë e koalicionit të partive opozitare shqiptare.

“Sa i përket legjitimitetit, pa asnjë diskutim VLEN do të duhet të jetë pjesë e pushtetit dhe nuk guxon të mos ketë qeveri pa VLEN, për shkak se ajo do të llogaritej se nuk ka legjitimitet të votës shqiptare”, tha Gashi.

Kreu i “Alternativa”, përmendi rregullin e pashkruar në Maqedoni të Veriut, ku qeveria formohet në mes të fituesit në kampin maqedonas dhe atij shqiptar, duke pretenduar se koalicioni ku ai bënë pjesë është fitues i votave shqiptare, ndonëse rezultati i 24 prillit e tregon të kundërtën.

“Kësaj radhe i vetmi koalicion që i përfaqëson shqiptarët është VLEN, ndër BDI-ja me 9 parti të tjera e ka humbur legjitimitetin e përfaqësimit vetëm të shqiptarëve dhe kjo neve na bën që duam apo s’duam duhet të jemi pjesë e qeverisë”, potencoi.

Duke folur për humbjen e “VLEN”-it në zgjedhjet presidenciale, Gashi, ndryshe nga se çka tregoi numërimi i votave, thotë se shqiptarët “në mënyrë cilësore” e kanë votuar kandidatin e tyre.

“Nëse bëjmë analiza se ku ka shkuar vota shqiptare, ajo me një numër të caktuar është në favor tonin në raport me ‘Frontin Evropian’, duke ditur se BDI-ja hyri në një proces ku u bashkua me të gjitha komunitetet, dhe votat e tyre janë derdhur në atë kosh”, pohon ai.

Përkundër humbjes në zgjedhjet presidenciale, Gashi shprehet i bindur për fitore në ato parlamentare më maj.

“Me 8 maj është një betejë krejt tjetër… Jam i bindur se shumica e shqiptarëve e duan ndryshimin. Rezultati i së mërkurës do të jetë motiv shtesë, dhe jam i bindur se do të jemi fitues në kampin shqiptar”, beson.

Gashi: Pa asnjë diskutim duhet të jemi pjesë e pushtetit, s’guxon të ketë qeveri pa VLEN-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore