Lajme

Gashi: Pa asnjë diskutim duhet të jemi pjesë e pushtetit, s’guxon të ketë qeveri pa VLEN-in


Afrim Gashi

Kryetari i “Alternativa”, njëherit njëri nga liderët e koalicioni “VLEN”, Afrim Gashi, ka thënë se nuk ka asnjë diskutim se koalicioni i partive opozitare shqiptare ku ai bën pjesë duhet që të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë së Veriut, që do të zgjidhet pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Këto komente, Gashi i ka bërë në një intervistë për “A2CNN”, vetëm dy ditë pasi që Arben Taravari, kandidati i “VLEN”-it për President të Maqedonisë së Veriut, humbi zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar, me një diferencë rreth 40 mijë vota, ndaj kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.

“Sa i përket legjitimitetit, pa asnjë diskutim VLEN do të duhet të jetë pjesë e pushtetit dhe nuk guxon të mos ketë qeveri pa VLEN, për shkak se ajo do të llogaritej se nuk ka legjitimitet të votës shqiptare”, tha Gashi.

Kreu i “Alternativa”, përmendi rregullin e pashkruar në Maqedoni të Veriut, ku qeveria formohet në mes të fituesit në kampin maqedonas dhe atij shqiptar, duke pretenduar se koalicioni ku ai bënë pjesë është fitues i votave shqiptare, ndonëse rezultati i 24 prillit e tregon të kundërtën.

“Kësaj radhe i vetmi koalicion që i përfaqëson shqiptarët është VLEN, ndër BDI-ja me 9 parti të tjera e ka humbur legjitimitetin e përfaqësimit vetëm të shqiptarëve dhe kjo neve na bën që duam apo s’duam duhet të jemi pjesë e qeverisë”, potencoi.

Duke folur për humbjen e “VLEN”-it në zgjedhjet presidenciale, Gashi, ndryshe nga se çka tregoi numërimi i votave, thotë se shqiptarët “në mënyrë cilësore” e kanë votuar kandidatin e tyre.

“Nëse bëjmë analiza se ku ka shkuar vota shqiptare, ajo me një numër të caktuar është në favor tonin në raport me ‘Frontin Evropian’, duke ditur se BDI-ja hyri në një proces ku u bashkua me të gjitha komunitetet, dhe votat e tyre janë derdhur në atë kosh”, pohon ai.

Përkundër humbjes në zgjedhjet presidenciale, Gashi shprehet i bindur për fitore në ato parlamentare më maj.

“Me 8 maj është një betejë krejt tjetër… Jam i bindur se shumica e shqiptarëve e duan ndryshimin. Rezultati i së mërkurës do të jetë motiv shtesë, dhe jam i bindur se do të jemi fitues në kampin shqiptar”, beson.

A po paralajmëron Taravari koalicion me VMRO-DPMNE?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore