Kosova

ASK: Mbi 1 milionë qytetarë janë regjistruar deri më tani


Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë për media ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1,204,560 persona.

“Në përgjithësi projekti për regjistrimin e popullsisë është duke iu ofruar fundit dhe nuk kemi probleme të aspektit të terrenit. Edhe pajisjet janë duke funksionuar dhe nuk kemi telashe”, tha Kastrati.

Sa i përket kualitetit të dhënave, Kastrati ka thënë se janë duke u shfrytëzuar burime, si ato të kaluarat.

Kastrati ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë raportim të regjistrueseve të popullsisë për ngacmim ndaj tyre nga ana e ndonjë qytetari.

“Nuk kemi zyrtarisht ndonjë rast që është lajmëruar te ne”, shtoi.

Ai foli edhe për masat që janë paraparë për ta parandaluar një ndodhi të tillë të ngacmimeve apo sulmeve potenciale ndaj regjistrueseve.

“Gjatë trajnimit ka pasur një trajnim specifik dhe të gjithë trajnuesit e kanë bërë te regjistruesit”.

Ndryshe, organizata “Fourth Wave”, ka organizuar një aksion para objektit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Përfaqësues të kësaj organizate kanë mbajtur në dorë një baner me mbishkrimin “Kam shkuar për regjistrim, jam përballur me intimidim. Siguria është detyrë e shtetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore