Kosova

Hoti: Qeveria s’po punon për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas planit 10 vjeçar për transformimin e saj.

Një gjë e tillë, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, dëshmohet me ndarjet buxhetore në vitet e fundit si dhe në planifikimet për tre vjetët e ardhshme.

“Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2025-2027, të cilën Qeveria e ka sjell në Kuvend para disa jave, shpenzimet për mbrojtje mbesin larg standardit të NATO-s prej 2% të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Kështu, sipas tij, nuk ndërtohet një ushtri që tenton të anëtarësohet në NATO.

“Kështu nuk mund të mbahet as stoku aktual i armatimit. Me këtë buxhet do të kemi largim të kuadrove nga ushtria. Me këtë buxhet nuk do të jetë tërheqëse për të rinjtë për të ndërtuar karrierë ushtarake”.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore