Kosova

Kurti: Në Kosovë asnjë komunitet nuk lihet në harresë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka njoftuar se ka takuar Ekipin Ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku janë diskutuar rezultat e deritanishme të këtij mekanizmi.

Përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, Kurti, ka potencuar se zhvillimi i shtetit ecën krah për krah me integrimin e avancimin e të gjitha komuniteteve në jetën shoqërore në vend.

“Në Republikën e Kosovës, asnjë komunitet nuk lihet në harresë, por gëzon mbështetjen e vëmendjen e njëjtë nga shteti, për progres dhe jetë më të dinjitetshme”, ka shkruar ai.

Kurti ndërsa ka folur për punën e këtij ekipi, ka përmendur se fal fushatës së informimit dhe të vetëdijesimit, në gjeneratën e 59-të të Policisë së Kosovë, e cila diplomoi në prill të këtij viti, “20% e pjesëtarëve të rinj ishin nga radhët e komuniteteve joshumicë, prej tyre 17 egjiptianë, ashkali e rom, në krahasim me vetëm 1 pjesëtar nga këto komunitete sa ishin rekrutuar në gjeneratën e vitit 2022”.

“Kurse, të dhënat e Agjencisë së Punësimit në vitin 2023 tregojnë se numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin paraprak. Ndërkohë që këtë vit kemi ndarë 250 mijë euro, 50 mijë euro më shumë se në dy vitet pararendëse për qendrat mësimore për fëmijët nga radhët e këtyre komuniteteve, krahas bursave të shumta për nxënës të shkollave të mesme dhe studentë në nivel universitar, për t’ju kundërvënë braktisjes së shkollimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore