Lajme

Haradinaj për masakrën e Poklekut: Heshtja e drejtësisë nuk i zbeh kujtimet për familjet


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në Poklek.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj të dielën e 17 prillit ka kujtuar masakrën e Poklekut në 23 vjetorin e saj.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se heshtja e drejtësisë nuk i zbeh kujtimet për familjet.

“Njëzetetre vjet më parë, në Paklek të Vjetër, do të sulmohen 3 familje të pambrojtura, e do të ekzekutohen mizorisht që të gjithë. Heshtja e drejtësisë nuk zbeh kujtimet për ata që fëmijëria e tyre u shua nga barbarët në tentim të zhbërjes së eksiztencës sonë”, shkruan Haradinaj .

Ai ka shtuar se në mësin e atyre që pësuan kishte edhe fëmijë.

“Do t’i kujtojmë me dhembje në zemër, tre fëmijët e Mehdi Muqollit prej dhjetëmuajsh deri në katër vjeç, vajzat e Qamil Muqollit, Liria gjashtëmuajshe dhe Florentina tri vjeçe, fëmijët e Fadil Muqollit, Egzoni katër vjeç, Ylberi dhjetë, Naseri dymbëdhjetë dhe Shehidja trembëdhjetë vjeçe”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në Poklek.

“Fatos (Xhavit) Muqolli një vjeç dhe motra e tij Eronita katër vjeçe, pesë fëmijët e Ilmi Muqollit, Albulena (5), Agroni (10), Rexhepi (12), Fatmirja (17) dhe Vezirja (20), katër vajzat e Sinan Muqollit: Hafija, Sherifja, Elifja dhe Eminja nga dhjetë deri në njëzetedy vjeç, fëmijët e Liman Muqollit, Mërgimi, Mirsadi dhe Menduhija nga pesë deri njëmbëdhjetë vjeç, djemtë e Ejup Carakut, Hasani dymbëdhjetë e Besarti trembëdhjetë vjeç”.

“Avdullahu dymbëdhjetë vjeç dhe katër djemtë e Ymer Elshanit”, ka kujtuar Haradinaj.

Ndër të tjera, ai konsideron se akoma nuk e ka të qarë se pse drejtësia është duke heshtur në raste të tilla.

“Ende nuk e kuptojmë këtë urrejtje, këtë barbari, që vret nënat me fëmijë, e më pas djeg kufomat. Përse drejtësia heshti para këtij krimi makabër?”

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila dëboi këtë armik të egër e barbar, është frymëzim për FSK, që e transformuar në ushtri, do të mbrojë territorin dhe popullin tonë, dhe nuk do të lejojë që të ripërjetojmë dhembjet e kohës së okupimit”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në Poklek.

Në fund, kreu i AAK-së ka kërkuar që në raste si ky të vendoset drejtësi.

“Duke kërkuar drejtësi për të rënët, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”.

Më 17 prill, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Poklek të vjetër dhe Çikatovë të Drenasit janë ende të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë.

“23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka theksuar se pasi i vranë trupat e viktimave të masakrës së Poklekut, “i dogjën bashkë me shtëpitë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore