Lajme

Kurti: Të njoma janë plagët nga gjenocidi i Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Poklek të vjetër dhe Çikatovë të Drenasit janë ende të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë.

“23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se pasi i vranë trupat e viktimave të masakrës së Poklekut, “i dogjën bashkë me shtëpitë”.

“Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse”, ka shkruar Kurti.

“Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë”.

“Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo masakër që është kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar.

“Në këtë ditë të trishtë për gjithë Kosovën po përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullatës civile. Në këtë varrezë që e shihni prehen 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Kjo masakër e kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar”, tha Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore