Lajme

Haradinaj kërkon përmbylljen e mandatit të UNMIKU-ut në Kosovë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë në Kosovë, pasi krijon vetëm konfuzion.

“Vazhdimi i misionit të UNMIK është vazhdim i konfuzionit për të gjithë. Ndërprerja e mandatit të këtij misioni është i nevojshëm dhe krijon qartësi institucionale”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentis, ka thënë se duhet që UNMIKU të përmbyllë mandatin e tij në Kosovë.

“Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave”.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentis

Ai ka theksuar se ngjarjet e fundit edhe njëherë kanë treguar se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal.

“Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal”.

“Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, tha Jeffrey DeLaurentis, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar raporti gjashtë mujor për Kosovën.

Gjatë kësaj seance, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për zhvillimet në Kosovë, Zahir Tanin, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për tensionet e shkaktuara në Veri të Mitrovicës.

Duke thënë se “komunikimi ka qenë i pakët apo fare. KFOR-it s’i është dhënë njoftim paraprak”.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore