Lajme

Haradinaj insiston se propozimi franko-gjerman është marrëveshje finale – vetë Kurti thotë të kundërtën


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka insistuar sërish para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është “marrëveshje finale”, ndonëse vetë kryeministri Albin Kurti tha të kundërtën.

“Kosova s’duhet ta kthen vetën në palën humbëse dhe s’duhet ta vlerëson vetën si pala që s’ka kry punë. Unë besoj që duhet të sillemi ndryshe, për ne kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se propozimi franko-gjerman është i pranueshëm për të dhe partinë e tij pasi që sipas tij, këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa shtoi se në të përfshihet edhe përkrahja për rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

“Kemi konfirmim direkt nga SHBA-ja, se me këtë marrëveshje do të përkrahemi për Partneritet për Paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesorë, ecjen drejt NATO-s”.

“Por, që të thuhet se ka edhe një marrëveshje dhe dialog, këtu gabojnë, unë besoj që kjo është ndarja finale me Serbinë, kjo marrëveshje e aleatëve tonë që kanë qenë këtu, vërtetë quhet plan franko-gjerman, por mos harroni – është amerikan dhe evropian”, shtoi Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës në fund të fjalimit të tij 10-minutësh tha se autoritetet kosovare duhet të kenë guxim që përmes propozimit franko-gjerman, ta shpallin të mbyllur çështjen e dialogut dhe ndarjen përfundimtare me Serbinë.

Kurti: Ndërkombëtarët ma kanë bërë të qartë, nëse i them jo planit do kem ndëshkime, futem në rrugë të konfrontimit me ta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore