Lajme

Kurti: Ndërkombëtarët ma kanë bërë të qartë, nëse i them jo planit do kem ndëshkime, futem në rrugë të konfrontimit me ta


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës, se në takimin e fundit të 20 janarit në Prishtinë me Miroslav Lajçakun e Bashkimit Evropian dhe emisarët e tjerë nga Amerika, Franca, Gjermania e Italia, i është bërë e qartë që nëse e refuzon propozimin franko-gjerman do të hyjë në “rrugë të konfrontimit” me partnerët ndërkombëtarë.

Madje, shtoi Kurti, versioni i fundit i propozimit është në nivelin “merre ose leje”.

“Lehtësuesi i dialogut ofrojë një version të dytë të propozimit. Versioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona. Dokumenti kësaj radhe shoqërohej edhe me një plan zbatimi. Me datë 20 janar 2023 emisarët me Lajçakun i dhanë disa qëndrime. Ata ma bën të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje, nuk lejohet negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i gjithë aparati shtetëror i tyre është vënë në përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtarët dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova, sepse do të hynin në një rrugë të konfrontimit me ta”, tha Kurti.

“Ata gjithashtu ma bën të qartë se çfarëdo refuzimi të propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatikë”, vazhdoi Kurti.

“Do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tregoi Kurti t’i kenë thënë diplomatët.

Kryeministri pohoi se në këtë takim ua ka dhënë komentet e tij dhe më pas ua ka dërguar edhe me shkrim.

“Qëndrimi im në atë takim ishte që propozimi është parimisht i pranueshëm, por duhet të ketë më shumë qartësim të mekanizmave për zbatim dhe siguresa të efektivitetit dhe një sekuencim të ngjarjeve që të ketë kuptim normalizimi”.

Thënë të gjitha këto, kryeministri deklaroi se qëndrimi i tij ndahet në tri pika kryesore.

“Pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz të raporteve ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra tjetrës de facto”.

“Plani s’ka referencë për Asociacionin, por u referohet marrëveshjeve të Brukselit në tër4ësinë e tyre dhe aty ku lindin pyetjet për Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit”

“E treta dhe hapi kryesor është ky: Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohen gjashtë kushtet që i kam paraqitur këtu një javë më parë”, përfundoi fjalimin Kurti.

Përse nuk i tregoi këto gjëra më herët Kurti?

Kryeministri thotë se “kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar si detyrim dhe më thanë ta konsideroja atë seriozisht, sepse mos pranimi i tij do të ndikonte në raportet diplomatike të Kosovës me shtete sponzorizuese”.

Kurti tha se kërkesat e tij për marrëveshje ishin që ajo të kishte brenda “njohjen de jure” dhe se “kërkuam edhe përfshirjen e drejtësisë transicionale për krimet e kryera në Kosovë”.

Por, “që në komentin e parë të qeverisë e vlerësuam propozimin si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm”.

Pasi, “propozimi për herë të parë vendos në fokus marrëdhëniet e jashtë ndërkombëtare, pasi më herët kishte të bënte me çështje të brendshme të Kosovës”, gjithashtu “propozimi adreson reciprocitet pothuajse në gjithçka” dhe “propozimi ka gjuhë të qartë vlerore dhe universale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore