Lajme

Haliti për Albanian Post: Serbët të lejohen të votojnë në Kosovë, por të rregullohet me ligj


Për të mos pasur incidente në pjesën veriore, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, po kërkon që serbët e Kosovës të lejohen të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme në Serbi të cilat pritet të organizohen me tre prill, por kjo çështje thotë që duhet të rregullohet më pas me ndonjë nen të veçantë në Kushtetutë.

“Pas kësaj radhe Qeveria ta përgatisë një ligj i cili përcakton saktë meqenëse është një problem që do të përsëritet çdo katër vjet, por ndoshta edhe më shpesh”, tha Haliti për Albanian Post.

Ai potencon se “nuk e beson që është ndonjë problem i madh nëse votojnë serbët”.

“Unë mendoj që Qeveria e Kosovës në rrethanat që janë sot edhe me situatën në Ukrainë edhe me rreziqet që përballet Ballkani për përshkallëzim të situatës, nuk do të duhej të bëhej shkaktare e shpërthimit të konfliktit.

Madje deputeti i PDK-së konsideron që mundësia për të pas incidente është e madhe, “sidomos në Mitrovicën Veriore”.

Prandaj Haliti kërkon koordinim të plotë të Qeverisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

“Qëndrimi i BE-së, NATO-s dhe SHBA-së është që ta kalojmë këtë situatë pa probleme, prandaj unë jam prej tyre që kur ka qëndrime të tilla duhet tërheqje taktike”.

Për ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, opozita ka të drejtë ta kritikojë pushtetin, por ky shton se “e kupton situatën në të cilën është Ballkani dhe e gjithë Evropa”.

“Ne duhet t’i kontribuojmë evropianizimit të Kosovës, është mirë që të evitohen incidentet”.

Ndërsa më 15 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se bashkë me ambasadorët e QUINT-it po mundohen të gjejnë ndonjë zgjidhje për çështjen e votimit të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi.

Albin Kurti

Për Kurti-n zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të fokusohet në atë mënyrë që të mos cenohet kushtetutshmëria e Kosovës.

“Konsiderojnë që në njërën anë nuk duhet që t’ua pamundësojnë serbëve në Kosovë ta kenë të drejtën e votës por në anën tjetër kushtetutshmëria dhe ligji në Kosovës neve na e obligon bazën e çfarëdo zgjidhje që do marrin në të ardhmen. Jemi në bisedime me ambasadorët e QUINT-it në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore