Sport

“Hajmalia” Broja udhëheq sulmin – formacioni i mundshëm i Shqipërisë


Planet e trajnerit italian Edy Reja ndryshuan pas daljes pozitiv me COVID-19, të sulmuesit titullar të Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi.

Të martën e 12 tetorit pritet që “ylli” i ekipit në ndeshjet e fundit me golat e shënuar, Armando Broja, të udhëheqë majën e sulmit të ekipit të Shqipërisë.

Mungesa tjetër e rëndësishme është ajo mbrojtësit të Atalanta-s, Berat Gjimshiti, i cili do të qëndrojë një muaj jashtë fushave, pasi u operua në dorë.

Për shkak kartonësh, mesfushori Endri Çekiçi nuk do të jetë i disponueshëm për trajnerin.

Këto mungesa u bashkëngjiten atyre të Bekim Balajt, mbrojtësit të Tiranës, Erjon Hoxhallari.

Formacioni i mundshëm

Në portë do të vendoset përsëri Etrit Berisha. Linja e mbrojtjes me pesë do të përbëhet nga tri qendrat Ismajli, Kumbulla dhe Veseli.

Krahët do të plotësohen nga Hysaj dhe Trashi.

Çelësat e mesfushës do t’i kenë dyshja e zakonshme Keidi Bare dhe Klaus Gjasula, të cilët do të rreshtohen para mbrojtjes.

Risia Bajrami, pritet të plotësojë treshen e mesfushorëve.

Reparti i sulmit mendohet se është zgjidhur me vendosjen e Brojës, i cili është lojtari dhe njeriu i momentit në këtë kombëtare.

20-vjeçari pritet të hidhet nga minuta e parë në fushë, në krah të Rei Manaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore