Lajme

Grupi i Navalny-t zbulon jahtin e Putin-it të ankoruar pranë Marina di Carrara-s


Jahti i presidentit rus Vladimir Putin, nën emrin Scheherazade, është zbuluar në Itali bashkë me emrat e disa anëtarëve të ekuipazhit.

Prej 140 metrash, me dy platforma uljeje helikopterësh, sisteme të larta sigurie dhe me vlerë 700 milionë dollarë, jahti dyshohet të jetë i ankoruar te Marina di Carrara.

Bashkë me të bëhen me dije edhe emrat e anëtarëve të ekuipazhit si një atribuim i mundshëm i jahtit të kreut të Kremlin-it.

Lajmi vjen nga Vilnius, Lituania. Ai është dhënë nga një grup hetuesish të lidhur me Aleksei Navalny-n, kundërshtari politik i Putin-in, i cili fillimisht u helmua dhe më pas u burgos në burgjet e Moskës.

Sipas burimit, në listën e 23 emrave të ekuipazhit të përpiluar në Carrara më 17 dhjetor 2020 gjenden dëshmi të kontakteve me Putin-in.

Dhe më e rëndësishmja është se disa prej tyre punojnë për FSO-në, shërbimin federal të mbrojtjes që mbron Putin-in dhe organizon jetën e tij.

Sipas Maria Pevchikh dhe Georgi Alburov, dy persona nga grupi i afërt me disidentin Navalny, “numri dy i jahtit quhet Sergey Grishin, i regjistruar në librat telefonikë të disa personave të tjerë si Sergei G Fso”.

Në vijim është Anatoli Furtel, banor në via Furmanova, në Soçi, selia e zyrës së FSO-së, e cila garanton sigurinë e rezidencës së presidentit.

Një tjetër anëtar i ekuipazhit është Evgheny Schvedov, oficer sigurie për njësinë ushtarake 38974, e cila më vonë rezulton të jetë FSO për Kaukazin.

Putin-i e ka zgjedhur jahtin Scheherazade pasi ia kishte transferuar jahtin e mëparshëm, të quajtur Graceful, oligarkut Gennadi Timchenko.

Sakaq, Guardia di Finanza e Carrara-s vijon hetimet.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore