Lajme

Grenell shkruan prapë për Kurtin: Iu kthye terrorizmit, në vend se ta dëgjonte Joe Biden-in


Richard Grenell, ish-emisari special i Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi

Richard Grenell, një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump dhe emisari special i ish-presidentit amerikan, e ka përshkruar si “terrorizëm” atë që ka bërë Albin Kurti, kur hidhte gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në kundërshtim të Demarkacionit me Malin e Zi.

Në një seri cicërimash në Twitter, Grenell ka shkruar se Kurti është “anti-amerikan” në parim, pasi ka kundërshtuar të gjitha administratat amerikane, nisur nga ajo e Bill Clinton e deri te Donald Trump.

“Albin Kurti hodhi gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës në përpjekje për ta ndaluar demarkacionin me Malin e Zi të mbështetur nga presidenti Barack Obama”, shkruan Grenell në profilin e tij.

Ai po ashtu thotë se Joe Biden “e luti Kurtin në atë kohë për ta mbështetur demarkacionin – dhe ai në vend të kësaj iu kthye terrorizmit”.

twitt-in e tij të më hershëm, Grenell shkruante se “majtisti Kurti gjithmonë është anti-amerikan”.

Madje, politikani amerikan i bën thirrje Jake Sullivan-it, këshilltarit të Joe Biden për Siguri Kombëtare, që administrata e re amerikane “duhet ta ndalë” Kurtin.

Komentet e Grenell, bëhen kur në Kosovë po qëndron për vizitë tri ditore, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti e Grenell kishin pasur komunikime të shpeshta me njëri tjetrin dhe mospajtime po aq të shpeshta gjithashtu.

Kurti argumentonte se Grenell nuk e kupton problemin serbo-shqiptar dhe as historinë e të dy popujve dhe se propozimet e tij për të ecur përpara nuk janë të duhurat.

Ndërsa rrëzimi i Qeverisë Kurti, pas vetëm 50 ditësh qeverisje, nga shumë kush ishte kuptuar si ndërhyrje direkte e Grenell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore