Lajme

Gjermania merr vendim për t’ia zgjatur mandatin ushtarëve të saj në Kosovë – ende ka potencial për përshkallëzim


Bundeswehr

Mandati i ushtarëve gjermanë (Bundeswehr) në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) do të zgjatet edhe për një vit për shkak të “potencialit ekzistues për përshkallëzim në rajon”, njoftoi të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.

“Aktualisht po zhvillohet një dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithëse republikat po afrohen ngadalë, ka ende potencial për përshkallëzim. Tensionet e vjetra mund të ndizen sërish, veçanërisht në veri të Kosovës”, thonë nga ministria.

“Kjo është arsyeja pse Gjermania do të vazhdojë të mbështesë këtë mision në kuadër të NATO-s për të siguruar ushtarakisht paqen në rajonin e Ballkanit. Ky është parakusht për zhvillimet e mëtejshme politike, sociale dhe ekonomike në Republikën e Kosovës deri në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Parlamenti i Gjermanisë, pas vendimit të kabinetit qeveritar, do të diskutojë në lexim të parë mes 10 dhe 12 majit dhe do të votojë në lexim të dytë më 26 maj të këtij viti vendimin për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it.

Ushtarët gjermanë janë dislokuar në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. Në parim, misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është i pakufizura, pra s’ka afate kohore, por në vitin 2020, qeveria gjermane ishte zotuar se do ta referonte çështjen në Bundestag çdo 12 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore