Lajme

“Gjatë këtij viti Mbretëria e Bashkuar pret përparim në dialog”


James Cleverly dhe Besnik Bislimi

Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikën e Veriut, James Cleverly, ka pritur në takim të martën zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, me ç’rast kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Takimin me Bislimin, e ka njoftuar vetë Cleverly përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ku mes tjerash ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar pret përparim në çështjen e dialogut, gjatë këtij viti.

“U takova sot me Bislimin, për të diskutuar sigurinë rajonale të Ballkanit Perëndimor, perspektivat për dialogun Kosovë-Serbi dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë qenë gjithmonë miq të fortë. Mezi presim të shohim progres në dialog këtë vit”, ka shkruar Cleverly në Twitter.

Takimin në fjalë e ka njoftuar edhe Bislimi, nëpërmjet një cicërime në rrjetin e tij social në Twitter, ku ka falënderuar ministrin britanik për mikpritjen bujare dhe bisedën e frytshme.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova përfitojnë nga një partneritet i ngushtë. Mezi pres të punojmë së bashku për të forcuar më tej këtë partneritet”, ka shkruar Bislimi, pa dhënë shumë detaje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore