Kosova

Gërvalla, opozitës: Presidentit të Amerikës i keni premtuar gjëra të pamundura për t’u implementuar


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar deputetët e opozitës për deklarata të rrejshme sa i përket fjalimeve të tyre për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Për Qeverinë e deputetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hotit, sipas ministres ka pasur “mungesë të kredibilitetit”.

“Që nga Qeveria Hoti as LDK-ja më nuk ka kredibilitet. Personalisht, presidentit të Amerikës i kanë premtuar gjëra të pamundura për t’u implementuar, të cilat e kanë ditur që nuk kanë për t’i realizuar kurrë dhe nuk i ka ardhur turp ta gënjejnë në sy presidentin e atëhershëm amerikan”, ka deklaruar ajo.

Duke thënë se marrëdhëniet me SHBA-të, Qeveria Kurti, i ka gjetur në nivelin më të dobët.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara i kemi gjetur në nivel të mjerueshëm, por ne nuk i gënjejmë ShBA-të, nuk e gënjejmë as BE-në, jo si ju deputet të opozitës”.

“Këtu në foltore jeni shqiponjë, por kur shkoni nëpër Ambasada ktheheni në pula”.

Sipas Gërvallës, SHBA-ja pret nga Kosova që të ndërtojë një shtet demokratik dhe ligjor.

Po ashtu, të marrë edhe vendime të guximshme dhe të zhvillojë debate të hapura në shërbim të prosperitetit të vendit.

“Me partnerët dhe aleatët tanë bisedojmë hapur edhe debatojmë më ta, jemi të pastër dhe synojmë të bindim partnerët tanë për qëndrimet tona të drejta”.

“Për dallim nga ata që sot flasin në emër të LDK-së dhe ngatërrojnë partneritetin me servilizmin, politikën me thashethemet dhe kanë pjesë e zhvillimeve më të rëndësishme të Kosovës së viteve të 90-ta”.

“SHBA-ja, partnerët tanë në BE, nga ne nuk presin dhe as nuk kërkojnë as nënshtrim dhe as servilitet, presin të ndërtojmë një shtet demokratik dhe ligjor, presin vendime të guximshme, debat të hapur në shërbim të prosperitetit të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Më 31 maj, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për të dytën herë kishte reaguar për situatën në Veri të Kosovës.

Në një komunikatë lëshuar për media ai ka thënë se vendimi për t’iu siguruar qasje kryetarëve të komunave në objekte komunale përshkallëzoi situatën pa nevojë.

Blinken ka kërkuar sërish që të tërhiqen forcat policore nga objektet dhe kryetarëve të komunave t’u sigurohen kushte në objekte alternative.

Po ashtu, Blinken i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ta tërheqë urdhërin e gatishmërisë së Ushtrisë Serbe, dhe që t’i ndalojë serbët e Kosovës që të ushtrojnë dhunë.

Edhe më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

Ai tutje ka potencuar se SHBA-të janë duke menduar edhe për vendime të tjera që do të marrin në këtë drejtim për të qetësuar situatën në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore