Kosova

Hovenier: Kosovës i anulohet pjesëmarrja në Defender 23, dhe kjo vetëm pasoja e parë


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai tutje ka potencuar se SHBA-të janë duke menduar edhe për vendime të tjera që do të marrin në këtë drejtim për të qetësuar situatën në Veri.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Më 26 maj, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja “në raport dypalëshe”.

Hovenier: Kërkuam hapa konkretë nga Kurti, s’morëm përgjigje ndaj kërkesave tona

Se rëndësia e “Defender Europe 2023”, ishte e shumëfishte e kishte thënë edhe shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në një intervistë për Albanian Post.

Maqedonci, madje kishte pohuar se kjo do të ndërtonte besimin e mëtejmë të besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Intervistë me Ejup Maqedoncin: FSK-ja në Defender Europe 2023 me mbi 1 mijë trupa, do të ketë prezencë të SHBA-së, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Turqisë

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit, zgjedhje këto që u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore