Lajme

Intervistë me Ejup Maqedoncin: FSK-ja në Defender Europe 2023 me mbi 1 mijë trupa, do të ketë prezencë të SHBA-së, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Turqisë


Foto: Albanian Post.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në ushtrimin Defender Europe 23, me mbi 1 mijë e 300 trupa, që nis me 21 maj dhe përfundon me 2 qershor.

Kjo do të jetë hera e dytë që Kosova do të jetë nikoqire e Defender Europe 2023.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në një intervistë për Albanian Post, tregon rëndësinë e Defender Europe 2023, ushtrimet që do të zhvillohen, gatishmërinë  e FSK-së për të marrë pjesë dhe dallimet që do të jenë nga Defender 2021.

Maqedonci, gjatë intervistës për Albanian Post bën të ditur se të dielën e 21 majit atëherë edhe kur nis Defender Europe 2023, në Kosovë do të zbarkojnë njësi ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe ekipe nga Kroacia dhe Turqia.

Kjo e bën Defender 2023, të dallojë nga ai që ishte mbajtur në vitin 2021, pasi në atë kohë kishte pasur vetëm prezencë të njësive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci.

Intervista e plotë:

Albanian Post: Çka është Defender Europe 2023 dhe çfarë rëndësie ka për Kosovën?

Ejup Maqedonci: Ushtrimi i madh fushor DEFENDER Europe 23, është ushtrim i spektrit të gjerë që planifikohet dhe drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë. Mbi 25 mijë trupa të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere do të zbarkojnë në zona të ndryshme të trajnimit për të demonstruar aftësitë luftarake, gatishmërinë operacionale dhe për të ngritur ndërveprueshmërinë.

Republika e Kosovës për herë të dytë do të jetë vend nikoqir në mes vendeve nikoqire. Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e Task Forcës Jug që përfshinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Pjesëmarrja e FSK në ushtrimin Defender 23 si dhe fakti që vendi ynë është ndër vendet nikoqire të këtij ushtrimi ka rëndësi shumë të madhe në ndërtimin e mëtejmë të besimit të SHBA-ve dhe vendeve partnere në aftësinë e vendit tonë për të qenë nikoqir i aktiviteteve ushtarake ndërkombëtare, por mbi të gjitha në konfirmimin e besimit që FSK-ja po ndërtohet dhe zhvillohet sipas standardeve të NATO-s si një forcë profesionale e gatshme për të kontribuar edhe për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit të Evropës, krah SHBA-ve dhe partnerëve.

Albanian Post: Si ka ardhur deri tek përfshirja e FSK-së në këto ushtrime?

Ejup Maqedonci: Si FSK, që nga fillimi i procesit të planifikimit kemi qenë të ftuar dhe kemi marr pjesë në konferencat planifikuese të organizuara nga Ushtria e SHBA-ve për Evropë dhe Afrikë. Në ato konferenca në kemi deklaruar pjesëmarrjen si dhe kemi ofruar zonat tona të trajnimit si hapësira ku mund të realizohen aktivitete trajnuese ndërkombëtare.

Albanian Post: Në çka mund të përmirësohet Kosova përmes pjesëmarrjes së saj në Defender Europe dhe çka pritet të dallojë kjo pjesëmarrje e Kosovës për herë të dytë nga pjesëmarrja e parë e saj?

Ejup Maqedonci: Gjatë aktiviteteve trajnuese në kuadër të ushtrimit Defender Europe 23, FSK do të validoj kapacitetet e këmbësorisë në nivel Regjimenti. Pra, FSK gjatë ushtrimit përmirëson kapacitetet ekzistuese dhe mbi të gjitha zhvillon kapacitete të reja të fushës luftarake të këmbësorisë.

Për dallim prej ushtrimit Defender 21, gjatë ushtrimit Defender 23 do të ketë numër shumë të madh të personelit dhe njësive që do të angazhohen. Gjithashtu, kësaj radhe në Kosovë do të zbarkojnë njësi ushtarake nga SHBA, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe ekipe nga Kroacia dhe Turqia, përderisa gjatë vitit 2021 kemi pas vetëm prezencë të njësive nga SHBA.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Albanian Post: Cilat janë veprimtaritë kryesore që do të realizohen gjatë Defender Europe 2023 dhe ku do të realizohen këto ushtrime ushtarake?

Ejup Maqedonci: Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në ushtrimin Defender 23 me mbi 1 mijë e 300 trupa, duke përfshirë dhe njësi të saj që do të zbarkojnë në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.

Ushtrimi në Kosovë do të zhvillohet në zonën e trajnimit në Babaj të Bokës dhe Aeroportin e Gjakovës.

Gjatë këtij ushtrimi, njësitë e FSK do të zhvillojnë detyra taktike mbrojtëse, sulmuese, detyra stabiliteti, mbështetje logjistike dhe mbështetje mjekësore.

Albanian Post: Çfarë përgjegjësie ka Kosova si nikoqire e këtij ushtrimi të madh ushtarak?

Ejup Maqedonci: Kosova si vend nikoqir është përgjegjëse për pritjen, akomodimin dhe integrimin operacional të njësive ushtarake të vendeve partnere që do të zbarkojnë në Kosovë.

Albanian Post: Sa i përket zhvillimit të kapacitetit të FSK-së, meqë ushtria është në fazën e dytë të tranzicionit dhjetë vjeçarë, a pritet që të ketë edhe një fazë të tretë dhe çka mund të përfshihet në këtë fazë?

Ejup Maqedonci: Po aktualisht, FSK është në fazën e dytë të tranzicionit, që përfshin ngritjen e njësive të këmbësorisë, fuqisë së luftimit dhe  kapaciteteve të mbështetjes logjistike dhe mbështetjes mjekësore.

Faza e tretë do të përfshijë ngritjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbështetjes me zjarr, që nënkupton zhvillimin e aftësive të artilerisë, mbështetjes ajrore dhe mbështetjes me xhenio luftarake.

Kapacitetet e mbështetjes luftarake që do të ngriten gjatë fazës së tretë të tranzicionit janë edhe kapacitetet që përmbyllim procesin e tranzicionit të FSK-së në tërësi.

Albanian Post: Si kolonel dhe me një përvojë mjaft të gjatë, sa mendoni që ushtarët e FSK-së do ta kryejnë këtë mision me sukses?

Ejup Maqedonci: Duke u bazuar në përgatitjet, angazhimin dhe planifikimin e detajuar që është zhvilluar në FSK gjatë periudhës përgatitore, mund të them me përgjegjësi të lartë se ushtarakët e FSK janë të gatshme të përmbushin me sukses të lartë misionin që u është dhënë atyre për ushtrimin Defender Europe 23.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore