Lajme

Blinken reagon prapë: Qeveria e Kosovës eskaloi tensionet pa nevojë, tërhiqeni policinë nga ndërtesat komunale


Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar sërish për situatën në Veri të Kosovës.

një komunikatë lëshuar për media ai ka thënë se vendimi për t’iu siguruar qasje kryetarëve të komunave në objekte komunale përshkallëzoi situatën pa nevojë.

Blinken ka kërkuar sërish që të tërhiqen forcat policore nga objektet dhe kryetarëve të komunave t’u sigurohen kushte në objekte alternative.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale eskaloi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore”, ka thënë Blinken.

Po ashtu, Blinken i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ta tërheqë urdhërin e gatishmërisë së Ushtrisë Serbe, dhe që t’i ndalojë serbët e Kosovës që të ushtrojnë dhunë.

“Presidenti Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, pohoi ai.

Blinken u ka bërë thirrje “të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve”, deklaroi Blinken.

Blinken ftoi Kosovën dhe Serbinë që “menjëherë të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve”.

Komunikata e Blinken vjen pak orë pas publikimit të një interviste të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku reagimi i parë i Blinken quhej “i gabuar dhe naiv”.

Në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”, Kurti shprehu pakënaqësitë e tij për deklaratën e Blinken-it, madje e ka konsideruar si “zbutje” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit ka treguar për të përditshmen britanike se ka biseduar edhe me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili siç ka thënë Kurti i ka kërkuar që kryetarët e komunave veriore t’i bënin punët në objekte të ndryshme, ose të punonin nga shtëpia. Këtë kërkesë kryeministri e kishte refuzuar.

Kurti e kritikon rëndë Blinken, e quan “naiv” dhe të “gabuar”

“Nuk mund të kemi kryetar komunash Zoom, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të premten ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, pati thënë Blinken.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkroi Blinken në Twitter.

Ndërsa edhe në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhej në komunikatën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore