Lajme

“Fronti Evropian” do e mbajnë tubimin përmbyllës në Tetovë, e ftojnë VLEN-in “ta dorëzojë peshqirin, mos të marrin nokaut klasik”


Liderët e “Frontit Evropian” do ta mbajnë këtë të diele në ora 20:00 në sheshin e Tetovës tubimin përmbyllës të fushatës elektorale, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të atyre presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, liderët e “Frontit Evropian” kanë theksuar se janë të bindur për fitore, derisa kanë premtuar se posa të vijnë në pushtet, do të angazhohen për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Madje kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), udhëheqësi i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, e ka paralajmëruar liderin e koalicionit “VLEN”, Bilall Kasamin që më 8 maj, pra ditën e zgjedhjeve parlamentare, të dorëzohet, pra ta pranojë humbjen.

“E kam paralajmëruar Bilallin, në realitet trajnerin e Bilallit, më 8 maj ta hedh peshqirin e bardhë në ring, të mos marrë nokaut klasik”, tha Ahmeti në një tubim.

Në anën tjetër, kreu i opozitës nacionaliste maqedonase, Hristijan Mickoski, paralajmëroi se qeverinë e re do ta formojë VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni “VLEN”, të cilët deklaruan se do të jenë pjesë e qeverisë së re pa asnjë kusht.

Arben Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, është shprehur se është i “gëzuar” që do të bashkëpunojë në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, derisa ka theksuar se me VMRO DPMNE-në kanë një program “fantastik”.

Këto komente, Taravari i ka bërë në një intervistë ekskluzive për “Albanian Post”, të parën pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale (24 prill), ku Taravari ishte kandidat për President të Maqedonisë së Veriut nga radhët e koalicionit “VLEN”, i cili u rendit i katërti në garë, derisa mori rreth 40 mijë vota më pak se kandidati tjetër shqiptar, Bujar Osmani, i “Frontit Evropian”

“Për VMRO-në dhe VLEN-in ka një program fantastik që na pret përpara. Natyrisht që ka objektiva të ndërsjella dhe jam konfident që do t’i arrijmë. Jam i gëzuar të bashkëpunoj me një profesor universitar si Mickovski që ashtu si të gjithë ne do më të mirën për këtë vend”, deklaroi Taravari për AP.

Një anketë e realizuar mes 29 dhe 30 prillit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” të enjten, zbuloi se rreth 70 për qind e respodentëve shqiptarë do të votojnë për koalicionin “Fronti Evropian” në zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore