Lajme

Gutierres, deputetit Basha: Ndaloni së frikësuari gazetarët, boll më


Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierres, i ka reaguar ashpër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dima Basha, duke e dënuar gjuhën e këtij të fundit ndaj gazetares së Radio Televizionit të Kosovës, Blerta Foniqi-Kabashi.

“Si guxon të sillesh në këtë mënyrë derisa vendi yt po lufton për anëtarësim në Këshillin e Evropës? Sjellja jote e papërgjegjshme po e dëmton reputacionin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Guiterres.

“Zoti Basha, ju kërkoj të ndaloni së frikësuari dhe përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe organizatën e gazetarëve. Mjaftueshëm është mjaftueshëm. Apo duhet të flas në gjuhën tuaj: boll më. Kjo është thjesht e papranueshme në vendet demokratike”.

“I bëj thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që menjëherë të marrë masa që anëtarët e partisë së tij të ndalojnë sulmet e vazhdueshme kundër gazetarëve dhe shoqërisë civile”, shtoi.

Ai ka thënë se ka shpresuar se lajmi i keq për nivelin alarmues negativ të lirisë së mediave në Kosovë do ta bënte Vetëvendosjen dhe anëtarët e saj të reflektonin për përgjegjësinë e tyre, derisa ka shtuar se “isha gabim”.

Ndryshe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka publikuar një reagim të shtunën, një ditë pasi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u dënua gjuha e tij ndaj gazetares së RTK-së.

Në reagimin e AGK-së ishte thënë se Basha ka krahasuar RTK-në me televizionin shtetëror serb e se ai ka sulmuar edhe AGK-në.

Ndërsa Basha, në kundërreagim ka thënë se nuk ka intimiduar gazetare, nuk ka kërcënuar e as nuk ka sulmuar askënd.

Në kundërpërgjigje ndaj këtij reagimi, AGK-ja ka thënë se Basha po synon disiplinimin e gazetarëve dhe të RTK-së nga shteti.

Shqetësuese është vlerësuar rënia e Kosovës për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.

Nga vendi i 56-të, ku pozicionohej vitin e kaluar, sivjet Kosova është renditur si e 75-ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore