Lajme

Gazeta greke “e njeh” territorin e Kosovës jashtë Serbisë  


Imazhet nga gazeta greke

Greqia është njëra ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndonëse autoritete helene në periudha të caktuara ri-konfirmojnë pozicionin e tyre mos-njohës karshi shtetësisë së Kosovës të njëjtit ndër vite kanë zhvilluara raporte të afërta me autoritetet e Kosovës.

Krerët institucional të Kosovës përshirë kryeministrin, Albin Kurtin e ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, periodikisht vizitojnë Athinën zyrtare.

Vizita të shpeshta nuk mungojnë as nga zyrtarë grekë.

Së fundmi një gazet greke ka realizuar një intervistë me kryeministrin Kurti gjatë qëndrimit në Athinë në kuadër të një darke jo-formale për nder të 20 vjetorit të Samitit të Selanikut dhe në gjithë zakonshmërinë e një interviste, e pazakonshme duket të jetë qasja e gazetës helene ndaj statusit të Kosovës.

Gazeta ka vendosur të publikojë intervistën me një imazh ku shihet territori i përkufizuar i Kosovës jashtë shtetit të Serbisë.

Mediumi në fjalë ndër të tjera i është referuar Kosovës pa fusnotë ndërsa ka vendosur edhe flamurin shtetëror.

Profesori i Departamentit të Studimeve Ballkanike në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, Ioannis Armakolas, në një intervistë të dhënë për Albanian Post muaj më parë kishte deklaruar se njohja e Kosovës nga Greqia do të ndodhë në një të ardhme eventuale meqë tashmë në opinionin publik, sidomos në mesin e vendimmarrësve dominon perceptimi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Në përgjithësi, sipas Armakolas, çështja e pavarësisë së Kosovës është diçka për të cilën është duke u diskutuar herë pas here në institucionet shtetërore të Greqisë.

Por, që njohja formale e Kosovës nga shteti helen të ndodhë, hulumtues i lartë dhe drejtues i programit të Evropës Juglindore në Fondacionin Helen për Politika Evropiane dhe e Jashtme (ELIAMEP), argumentoi se fillimisht Athina zyrtare duhet të sigurohet se do të marrë diçka në këmbim të interesave të saj kombëtare, pasi sipas tij pozicioni i ngurtë i shtetit helen në këtë çështje nuk mund të ndryshojë pa ndryshuar rrethanat politike.

“Athina mund ta këtë konsideruar të njohë Kosovën, por ky nuk duket që është rasti në këtë fazë. Dhe nëse Greqia do të vazhdonte me këtë veprim, së pari do të siguronte diçka në këmbim të interesave të saj kombëtare dhe sigurisht që do të peshonte të mirat dhe të këqijat, si dhe kohën, rrethanat më të gjera gjeopolitike dhe balancat politike brenda vendit dhe në marrëdhëniet me Qipron”, pati thënë Armakolas në një intervistë për Albanian Post.

“Në Greqi dominon perceptimi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, intervista e Albanian Post me profesorin grek Ioannis Armakolas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore